Kreu i federatës turke kërkon ligj për ndalimin e fyerjeve ndaj kombëtares

Kreu i federatës turke kërkon ligj për ndalimin e fyerjeve ndaj kombëtares

Lajme

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), İbrahim Hacıosmanoglu, ka dënuar ashpër ofendimet dhe sulmet që janë bërë ndaj ekipit kombëtar në rrjetet sociale pas largimit të hershëm nga Kupa e Botës.

Para ndeshjes së fundit të Grupit D, gjatë një konference për shtyp në kampin e përfaqësueses, Hacıosmanoglu mori në mbrojtje trajnerin Vincenzo Montella dhe futbollistët, ndërsa i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë të përgatisë legjislacion kundër fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes në internet.

“Po i drejtohem Ministrit tonë të Drejtësisë. Le të shikojë shembujt në botë. Në cilin vend ekziston një turp i tillë? Besoj se është urgjentisht e nevojshme të miratohen ligje për të parandaluar rënien morale të shoqërisë dhe për të ndihmuar zhvillimin e futbollit”, deklaroi ai.

Sipas kreut të TFF-së, komentet ndaj kombëtares e kanë tejkaluar kufirin e kritikës normale dhe janë kthyer në sulme personale.

“Ata filluan që nga ndeshja e parë. Të thuash se ka kaos në ekip apo se kapiteni po e mbledh skuadrën, kjo nuk është më koment, por mungesë respekti. Po u drejtohemi atyre që kalojnë kufijtë e moralit dhe përpiqen të krijojnë përçarje në ekip”, tha Hacıosmanoglu.

Ai hodhi poshtë gjithashtu spekulimet për largimin e Vincenzo Montellës, duke nënvizuar se italiani ka mbështetjen e plotë të federatës.

“Ne do të mbrojmë si trajnerin, ashtu edhe lojtarët. Ata që e njohin karakterin tim e dinë se nuk i braktisim njerëzit me të cilët kemi nisur rrugëtimin. Nëse ky staf ka arritur suksese me këta djem, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim”, u shpreh presidenti i federatës.

I pyetur drejtpërdrejt nëse ishte biseduar për dorëheqjen e Montellës, Hacıosmanoglu dha një përgjigje të prerë.

“Nuk i dhashë fare mundësinë ta bënte këtë. Nuk kemi pasur një bisedë të tillë dhe as që ka nevojë për të”.

Numri një i TFF-së mori mbi vete përgjegjësinë për dështimin në Botëror, por theksoi se skuadra nuk e meriton valën e sulmeve që ka përjetuar.

“Nuk do t’ia dalim pa u ndëshkuar. Si president dhe si bord drejtues, ne e marrim përgjegjësinë. Pranoj çdo kritikë të arsyeshme, por jo ato që kalojnë kufijtë e moralit”, deklaroi ai.

Në përfundim, Hacıosmanoglu tha se rrjedha e ngjarjeve mund të kishte qenë krejt ndryshe për shkak të fatit sportiv.

“Nëse gjuajtja e Merihit në fund do të kishte hyrë në portë dhe jo të godiste shtyllën, sot do të flisnim për diçka krejt tjetër. Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë 65 gjuajtje. A luajtëm keq?”, përfundoi ai.

Promo