“Nëse vazhdon të stërvitesh në këtë mënyrë, as unë nuk do të të përzgjidhja”, është fjalia që, sipas Tijjani Reijnders, i ndryshoi jetën.
Sot ai konsiderohet si një nga mesfushorët më të vlerësuar në futbollin evropian dhe është pjesë e Manchester Cityt, por vetëm disa vite më parë jeta e tij ishte krejt tjetër.
Në kohën kur Phil Foden dhe Erling Haaland po linin gjurmë në botën e futbollit, mesfushori holandez punonte në një supermarket. Në një intervistë të fundit, ai ka treguar se si kritikat e prindërve e bënë të reflektonte dhe ta ndryshonte qasjen.
“Kur isha 19 vjeç, ndërsa lojtarë si Phil Foden dhe Erling Haaland po krijonin emër në futbollin evropian, unë po punoja në Aldi”.
“Pas shkollës, hipja në biçikletë dhe shkoja në supermarket, ku sistemoja raftet dhe skanoja produkte për disa orë çdo ditë. Nuk ishte jeta që e kisha përfytyruar për veten. Ëndrra ime ishte futbolli, por në atë periudhë më dukej sikur po më rrëshqiste nga duart”.
Në atë kohë, Reijnders ishte pjesë e ekipit U19 të PEC Zwolle, por nuk po aktivizohej aq sa dëshironte.
“Luaja për ekipin U19 të PEC Zwolle, por nuk po merrja minuta. Madje pati një moment kur nuk isha as në listën e skuadrës”.
“I zhgënjyer, u ankova te babai im. Ai erdhi të më ndiqte në stërvitje dhe më tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: ‘Nëse vazhdon të stërvitesh kështu, as unë nuk do të të zgjidhja’”.
“Ishte e dhimbshme ta dëgjoja. Gjatë rrugës për në shkollë qava aq shumë sa mezi shihja rrugën. Mendoja se ëndrra ime kishte marrë fund”.
Megjithatë, më vonë po atë mbrëmje, babai i tij i dha një tjetër mesazh.
“Por atë mbrëmje, babai më tha se kisha talent, vetëm se duhej të punoja më shumë”.
“Shpresoja që nëna ime të më dilte në mbrojtje, si gjithmonë. Por ajo më pa në sy dhe tha: ‘Tijjani… ai ka të drejtë’”.
“Ato fjalë më zgjuan. Nuk kërkova më justifikime. Fillova të stërvitesha dyfish më fort. Bëja vrapime shtesë, palestër dhe punë individuale. Çdo ditë bëja një hap më shumë drejt ëndrrës sime”.
“Disa vite më vonë erdhi kontrata ime e parë profesionale me AZ Alkmaar. Më pas erdhën momentet e vështira, huazimet, pritja për një mundësi dhe dyshimet nëse do t’ia dilja ndonjëherë. Por nuk u dorëzova”, kujton ai.
Nga AZ Alkmaar, rrugëtimi i tij vazhdoi te Milani dhe më pas te Manchester City, ndërsa tani po shkëlqen edhe me Holandën në Botërorin 2026.//


