Yamal rrëfen sfidat e fëmijërisë dhe arritjet: Prindërit e mi arritën të bënin gjithçka

Lajme

Lamine Yamal, ylli i Barcelonës dhe një nga talentet më premtuese të futbollit botëror, ka folur me emocione për sakrificat e prindërve të tij gjatë fëmijërisë, duke nënvizuar se një pjesë të madhe të suksesit që gëzon sot ua dedikon pikërisht atyre.

Në një intervistë për El Pais nga grumbullimi i Kombëtares së Spanjës në Kupën e Botës, 18-vjeçari riktheu në vëmendje kujtimet e tij të para që lidhen me turneun më të madh të futbollit.


“Kupa e Botës 2014 është kujtimi im i parë. Nëna ime u kthye nga puna për pjesën e dytë të ndeshjes Kolumbi–Uruguai dhe e ndoqëm bashkë. Tani ajo është këtu me mua në Kupën e Botës. Ajo qau kur debutova me Spanjën dhe unë i thashë: ‘Sa shumë ndryshon jeta’”, tregoi Yamal.

Anësori i Barcelonës foli gjithashtu për vështirësitë ekonomike që familja e tij ka përjetuar në vitet e para të jetës së tij, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin e prindërve.

“Ajo që kanë bërë nëna dhe babai im për mua është diçka që unë do ta bëja vetëm për fëmijën tim. Kur nuk ke para, është shumë e vështirë ta ndihmosh një fëmijë të luajë futboll. Është e vështirë t’i blesh dhurata apo t’i sigurosh shumë gjëra. Prindërit e mi ia dolën t’i bënin të gjitha këto dhe unë nuk do të mund t’ua shpërblej kurrë”, u shpreh ai.

Yamal theksoi se rrugëtimi nga një fëmijëri modeste deri te pozita si një nga futbollistët më të kërkuar në botë ka ardhur si rezultat i mundit dhe sakrificës së tij.

“Gjithçka që dua të bëj sot, e bëj sepse nuk kam pasur mundësi ta bëj kur isha i vogël. Nuk kam frikë se mos është tepër, sepse e kam fituar vetë. Nuk kam pasur asgjë dhe gjithçka që kam sot e kam fituar duke luajtur futboll. Askush nuk ma ka dhuruar dhe nuk kam trashëguar asgjë”, deklaroi ai.

Në fund, talenti spanjoll shtoi se i vlerëson këshillat e njerëzve përreth, por beson se secili duhet të shijojë frytet e punës së vet pas shumë vitesh sakrifice.

“Besoj se kam të drejtën të bëj atë që dua me jetën time. Ajo që ke arritur me punën tënde, të takon ty. Natyrisht, këshillat janë gjithmonë të rëndësishme dhe unë i dëgjoj, por në fund duhet të jetosh dhe të shijosh atë që ke fituar vetë”, përfundoi Yamal.

Promo