Legjenda braziliane Kaka vlerëson se dy futbollistë të Real Madridit janë pretendentët më të fortë për të fituar “Këpucën e Artë” në Botërorin 2026.
Në një intervistë për ESPN UK, ish-fituesi i Topit të Artë u pyet se cilët janë dy emrat që ai sheh si favoritë për ta mbyllur turneun në krye të listës së golashënuesve. Përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë:
“Padyshim Mbappe, pastaj Vini Jr.”, u shpreh Kaka.
Zgjedhja e Kylian Mbappe si favoriti kryesor nuk është surprizë. Sulmuesi francez i ka treguar vazhdimisht aftësitë e tij në skenat më të mëdha të futbollit dhe deri tani në këtë Botëror ka shënuar tre gola.
Shpejtësia, instinkti para portës dhe mënyra si lëviz në fushë e bëjnë atë një nga sulmuesit më të vështirë për t’u ndalur, sidomos në ndeshjet me eliminim direkt.
Nga ana tjetër, Vinicius Junior mbetet gjithashtu një emër shumë i fortë në garën për “Këpucën e Artë”.
Ylli brazilian ka realizuar dy gola me Kombëtaren e Brazilit dhe po merr gjithnjë e më tepër përgjegjësi në repartin ofensiv të “Seleçaos”.
Me lëvizjet e tij të shpejta, aftësinë për të krijuar raste dhe efikasitetin në fazën përmbyllëse, Vinicius vazhdon të shihet si një nga pretendentët kryesorë për çmimin e golashënuesit më të mirë të turneut, edhe në ndeshjet kur nuk arrin të shënojë.
Tani mbetet për t’u parë nëse njëri nga dy yjet e Real Madridit do ta realizojë parashikimin e Kakas dhe do ta mbyllë Botërorin 2026 në vendin e parë të listës së golashënuesve.


