Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka mësuar ekipet kundërshtare në fazën Main Round të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës FIFA 2028.
Pas shortit të organizuar nga UEFA, Kosova është vendosur në Grupin 10, së bashku me Italinë dhe Gjeorgjinë.
“Dardanët” do të kërkojnë t’i vazhdojnë paraqitjet e mira dhe të garojnë për një vend në fazën tjetër të kompeticionit.
Kosova e siguroi kalimin në Main Round pas paraqitjeve të suksesshme në fazën paraprake të kualifikimeve, duke konfirmuar progres të vazhdueshëm në skenën ndërkombëtare të futsallit.
Sipas formatit të UEFA-s, 36 përfaqësuese janë ndarë në 12 grupe me nga tri skuadra. Fituesit e grupeve dhe katër vendet e dyta më të mira do të avancojnë drejtpërdrejt në Elite Round, ndërsa tetë ekipet e tjera që renditen të dytat do të luajnë në play-off.
Ndeshjet e Main Round do të luhen nga tetori 2026 deri në mars 2027.


