“Ky është ndoshta çasti më i mirë i jetës sime” – talenti zviceran flet pas dopietës kundër Bosnjës

Lajme

Përfaqësuesja e Zvicrës bëri një hap të rëndësishëm drejt fazës me eliminim direkt të Kupës së Botës, pasi triumfoi ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës me shifrat 4-1 në Los Angeles.

Figura kryesore e mbrëmjes ishte 20-vjeçari Johan Manzambi. Lojtari i Freiburgut u inkuadrua nga banka rezervë në minutën e 71-të dhe vetëm tre minuta më pas arriti të shënojë. Ai realizoi sërish edhe në minutën e 90-të, duke i dhënë vulën fitores bindëse të zviceranëve.


Për Zvicrën në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Ruben Vargas dhe kapiteni Granit Xhaka, ndërsa Manzambi theksoi pas ndeshjes se kjo ishte mbrëmja më e bukur e karrierës së tij.

“Po, ky është ndoshta momenti më i mirë i karrierës sime deri tani. E dinim që nuk e nisëm mirë dhe se duhej të tregonim durim. Por ne jemi një skuadër e mirë dhe besoj se këtë e dëshmuam sonte”, u shpreh talenti 20-vjeçar.

Pas kësaj fitoreje, Zvicra ka grumbulluar katër pikë dhe ndodhet shumë pranë sigurimit të kualifikimit në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.

Në anën tjetër, Bosnja dhe Hercegovina do ta kërkojë fitoren ndaj Katarit në ndeshjen e fundit për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

Në raundin përmbyllës, Zvicra do të luajë ndaj vendit mikpritës, Kanadasë, në një përballje që pritet të përcaktojë renditjen përfundimtare të grupit.

Promo