Anglia hyn në histori pas triumfit ndaj Kroacisë, vendos rekord në sfidat hapëse të Kupës së Botës

Lajme

Kombëtarja e Anglisë e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke fituar 4-2 ndaj Kroacisë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.

Ekipi i udhëhequr nga trajneri Thomas Tuchel shfaqi fuqi në sulm dhe saktësi përballë kroatëve, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme në nisje të turneut.


Përtej rezultatit në fushë, kjo fitore mbart edhe vlerë historike për “Tre Luanët”. Anglia ka fituar ndeshjen e saj hapëse në Kupën e Botës për të tretën herë radhazi, një arritje që nuk e kishte regjistruar asnjëherë më parë.

Kjo ecuri pozitive filloi në Botërorin e vitit 2018 me fitoren 2-1 ndaj Tunizisë, vijoi në Katar 2022 me suksesin e thellë 6-2 kundër Iranit dhe tashmë është zgjatur me triumfin 4-2 ndaj Kroacisë në Botërorin 2026.

Herën e fundit që anglezët e nisën një Kupë Bote me humbje ishte në vitin 2014, kur u mundën 2-1 nga Italia në sfidën e parë të grupit.

Ky rekord i ri konfirmon vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e Anglisë në turnetë e mëdhenj, ndërsa skuadra shihet si një nga kandidatët seriozë për të ecur larg në këtë edicion të Kupës së Botës.

Në ndeshjen e ardhshme, më 23 qershor, Anglia do të ndeshet me Ganën, në një përballje që mund t’i afrojë edhe më shumë anglezët me kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

Promo