Kundërsulmi vendimtar në fund i jep Ganës tri pikë ndaj Panamasë

Lajme

Përfaqësuesja e Ganës e hapi me fitore aventurën në Kupën e Botës 2026, pasi mundi Panamanë me shifrat minimale 1-0 në ndeshjen e Grupit L.

Goli i vetëm i sfidës erdhi në minutën e pestë të kohës shtesë, kur Caleb Yirenkyi shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë dhe i dha skuadrës së tij tri pikë me shumë vlerë.


Panamaja u shfaq më kërcënuese në pjesën e parë dhe që në minutën e dytë krijoi një mundësi shumë të mirë me Waterman, por portieri Lawrence Ati-Zigi ndërhyri në mënyrë të shkëlqyer.

Skuadra nga Amerika Latine kontrolloi posedimin dhe ritmin e takimit, ndërsa në minutën e 33-të kërkoi edhe penallti pas rrëzimit të Martinezit në zonë, por arbitri nuk sinjalizoi asgjë.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Zigi pësoi një dëmtim në kofshë dhe u detyrua të dilte nga loja, me Asaren që mori vendin e tij në portë.

Në pjesën e dytë, Gana u bë më e rrezikshme. Adjetey provoi me kokë, ndërsa Panamaja shpërdoroi rastin më të mirë të ndeshjes në minutën e 60-të me Martinezin, i cili nga një pozitë ideale nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë.

Më pas, Jordan Ayew iu afrua golit për Ganën, por mbrojtësi Ramos ndërhyri në çastin e fundit dhe shmangu rrezikun. Më vonë, i njëjti futbollist i Panamasë krijoi një mundësi të mirë në krahun tjetër, por gjuajtja e tij kaloi pranë shtyllës.

Kur gjithçka po tregonte se ndeshja do të përfundonte pa gola, Gana goditi në kohën shtesë. Në minutën e 95-të, Brandon Thomas-Asante depërtoi nga e majta dhe pasoi në shtyllën e dytë, ku Caleb Yirenkyi e pati të lehtë ta dërgonte topin në portën e zbrazët për 1-0.

Panamaja reagoi menjëherë dhe iu afrua barazimit në sekondat e fundit, por goditja me kokë pas një rrëmuje në zonë nuk përfundoi në kuadrat. Pas fishkëllimës së fundit pati edhe tension mes futbollistëve të të dyja skuadrave, duke mbyllur kështu një përballje dramatike.

Falë kësaj fitoreje, Gana merr tri pikët e para në Grupin L, ndërsa Panamaja mbetet pa asnjë pikë, pavarësisht paraqitjes së mirë.

Promo