FIFA i jep një pezullim të ashpër yllit të Afrikës së Jugut pas kartonit të kuq ndaj Meksikës

Lajme

Mesfushori ofensiv i Afrikës së Jugut, Themba Zwane, është dënuar nga FIFA me pezullim prej tre ndeshjesh pas kartonit të kuq të debatueshëm që mori në humbjen e përfaqësueses së tij ndaj Meksikës në takimin hapës të Kupës së Botës 2026.

Ky vendim përbën një goditje të madhe për trajnerin Hugo Broos dhe ekipin e tij, pasi 36-vjeçari me përvojë do të mungojë në pjesën e mbetur të fazës së grupeve, në një kohë kur Afrika e Jugut po përpiqet të sigurojë kualifikimin.


Zwane, i cili në karrierën e tij me kombëtaren ka zhvilluar 55 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola, vlerësohet si një nga futbollistët më me përvojë dhe më të rëndësishëm të skuadrës.

Mungesa e tij pritet të lërë një boshllëk të ndjeshëm në repartin ofensiv të “Bafana Bafana”.

Sipas ESPN, Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka vendosur ta shtojë dënimin fillestar nga një ndeshje në tre ndeshje pezullim, megjithëse federata e Afrikës së Jugut ka mundësi ta apelojë vendimin.

Mesfushori u fut në lojë në minutën e 61-të të ndeshjes së luajtur në stadiumin “Azteca” më 11 qershor, por qëndrimi i tij në fushë zgjati vetëm 23 minuta, pasi u përjashtua me karton të kuq.

Tashmë, Afrika e Jugut do të detyrohet të vazhdojë garën në Grupin A pa një nga liderët kryesorë të ekipit, duke e bërë edhe më të vështirë objektivin për të kaluar në fazën me eliminim direkt.

Promo