Zbardhen kuptimet dhe simbolet e fshehura në stemën e Anglisë, përfshirë pse ajo përmban tre luanë

Lajme

“Tre luanët në fanellë, Jules Rimet ende shkëlqen” janë vargje të njohura që dëgjohen sa herë shtohet entuziazmi për ambiciet e Anglisë në turnetë madhorë. Megjithatë, simboli i “Tre Luanëve” mbart një histori shumë më të thellë nga sa besohet zakonisht.

Në prag të Kupës së Botës 2026, ku Anglia e drejtuar nga Thomas Tuchel do të ndeshet me Kroacinë në një përballje të vështirë në grup, janë bërë publike disa detaje “të fshehura” të stemës së Kombëtares angleze.


Sipas raportimeve, secili prej tre luanëve ka një domethënie të veçantë historike, e lidhur ngushtë me monarkinë angleze.

Luani i parë lidhet me Mbretin Henry I, i njohur si “Luani i Anglisë”, i cili sundoi nga viti 1100 deri më 1135 dhe ishte i pari që shtoi figurën e luanit në Stemën Mbretërore të Anglisë.

Edhe luani i dytë ka lidhje me Henry I, i cili shtoi një tjetër luan për të nderuar vjehrrin e tij, Godfrey I, Kontin e Louvain, pas martesës me Adeliza of Louvain në vitin 1121.

Luani i tretë u shtua rreth 30 vjet më vonë nga Henry II, nipi i Henry I, i cili e bëri këtë në vitin 1154 për të nderuar familjen e bashkëshortes së tij, Eleanor of Aquitaine.

Që prej asaj periudhe historike, stema mbretërore nuk ka pësuar më ndryshime sa i përket shtimit të luanëve, edhe pse figura e tyre është përdorur shpesh në simbolet mbretërore ndër shekuj.

Më pas, pas Luftës së Dytë Botërore, emblemës iu shtuan edhe 10 trëndafila Tudor. Këta trëndafila përfaqësojnë Shtëpinë Tudor dhe Luftën e Trëndafilave (1455–1487), dhe u vendosën në vitin 1948, kur u bashkuan 10 divizionet e anëtarëve të FA-së.

Sot, në fanellën e Anglisë shfaqen së bashku tre luanët dhe dhjetë trëndafilat, simbol që do ta mbajë edhe skuadra me 26 lojtarë në Kupën e Botës 2026.//

Promo