Përballja e radhës që pritet në Kampionatin Botëror

Lajme

Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Erling Haaland e kanë hapur në mënyrë spektakolare Kupën e Botës 2026, duke i udhëhequr përfaqësueset e tyre me paraqitje mbresëlënëse dhe duke vendosur rekorde që në ndeshjet e para të kompeticionit.

Argjentinasi shënoi tre herë, ndërsa Mbappé dhe Haaland realizuan nga dy gola secili, duke përforcuar edhe një herë rolin e tyre si ndër figurat më të rëndësishme të futbollit botëror.


Messi barazon rekordin historik të Kloses

Lionel Messi ishte figura qendrore në triumfin e Argjentinës ndaj Algjerisë. Falë tregolëshit të tij, kapiteni argjentinas arriti në kuotën e 16 golave në Kupat e Botës, duke barazuar rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë në historinë e këtij turneu.

Paraqitja e tij la pa fjalë botën e futbollit, ndërsa edhe Erling Haaland reagoi në rrjetet sociale me një mesazh të shkurtër, por plot kuptim: “Ai është i çmendur”.

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, pati vetëm vlerësime maksimale për yllin e skuadrës së tij.

“Pa fjalë. Messi do të jetë përgjithmonë më i miri në histori. Do të jetë shumë e vështirë që dikush ta arrijë atë. Ai e ka bërë këtë për 20 vjet dhe ne duhet ta shijojmë sa është ende në fushë”, deklaroi Scaloni.

Vetë Messi u shpreh me modesti për rekordin e vendosur. “Është një nder të jem në atë nivel, por është vetëm një statistikë. Nuk ndryshon asgjë për mua. Gjithçka që vjen tani është një bonus”, tha ai.

Mbappé vendos dy rekorde me Francën

Edhe Kylian Mbappé spikati në ndeshjen e parë të Francës, duke shënuar dy gola në fitoren 3-1 ndaj Senegalit. Me këtë dygolësh, sulmuesi francez u bë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares franceze me 58 gola, duke kaluar Olivier Giroudin.

Po ashtu, ai mori kryesimin edhe në renditjen e golashënuesve francezë në historinë e Kupës së Botës me 14 gola, duke lënë pas Just Fontaine.

“Mendoj se do të kem kohë të mendoj për këto rekorde pasi të përfundoj karrierën. Tani jam i fokusuar te skuadra dhe objektivat tona”, u shpreh Mbappé pas ndeshjes.

Në suksesin e Francës ndikoi ndjeshëm edhe Michael Olise, i cili dha asistin perfekt për golin e parë të Mbappés dhe drejtoi aksionet sulmuese të “Gjelave” gjatë pjesës së dytë.

Haaland e nis me dopietë

Erling Haaland nuk zhgënjeu në paraqitjen e tij të parë në Kupën e Botës. Sulmuesi norvegjez realizoi dy gola në fitoren e thellë 4-1 ndaj Irakut dhe vazhdoi formën e tij të shkëlqyer me përfaqësuesen.

25-vjeçari ka gjetur rrugën e rrjetës tashmë në 11 ndeshje radhazi me Norvegjinë, duke dëshmuar se mbetet një nga sulmuesit më të rrezikshëm të futbollit modern.

“Prisja një paraqitje të tillë prej tij. Në stërvitjet e fundit dukej në formë të shkëlqyer dhe e tregoi këtë edhe në fushë”, tha trajneri Stale Solbakken.


Vinicius shkëlqen, Ronaldo dhe Kane në skenë

Edhe Vinicius Junior la shenjë në debutimin e Brazilit, duke realizuar golin që i siguroi Seleçaos barazimin 1-1 ndaj Marokut.

“Vinicius shënoi një gol fantastik. Ai i ka të gjitha cilësitë për të bërë një Kupë Bote të shkëlqyer”, vlerësoi trajneri Carlo Ancelotti.

Ndërkohë, sot pritet të zbresin në fushë edhe dy superyje të tjerë të futbollit botëror. Cristiano Ronaldo do ta nisë Kupën e tij të gjashtë të Botës me Portugalinë në ndeshjen kundër Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa Harry Kane do të udhëheqë Anglinë në sfidën ndaj Kroacisë.

Një tjetër emër që pritet të marrë vëmendje në vijim të turneut është edhe Lamine Yamal. Talenti spanjoll luajti vetëm minutat e fundit në barazimin e Spanjës me Kepin e Gjelbër, por pritet të ketë më shumë hapësira në ndeshjen e ardhshme kundër Arabisë Saudite.

Kupa e Botës ka nisur në mënyrë të shkëlqyer për disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit dhe, nëse ditët e para janë një tregues i qartë, spektakli vetëm sa ka filluar.

Promo