Pas barazimit surprizues 1-1 ndaj Katarit në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026, klima në kampin e Zvicrës nuk paraqitet aspak e qetë.
Në vend të entuziazmit, te tifozët dhe opinioni publik ka nisur të shtohet shqetësimi, ndërsa mediat zvicerane flasin për pakënaqësi të mundshme brenda përfaqësueses.
Në qendër të vëmendjes ndodhet kapiteni Granit Xhaka, i cili pas ndeshjes nuk e fshehu zhgënjimin me paraqitjen e ekipit.
“Ka shumë për të folur, por tani duhet të veprojmë”, u shpreh mesfushori shqiptar pas mbylljes së takimit.
Çfarë vuri në pah Xhaka
Xhaka kritikoi mungesën e disiplinës taktike, duke nënvizuar se disa lojtarë përpiqen t’i zgjidhin situatat në mënyrë individuale dhe dalin jashtë rolit të tyre në fushë, gjë që sipas tij dëmton lojën kolektive të skuadrës.
Edhe pse nuk përmendi emra, komentet e tij ngjallën reagime të shumta. Zvicra kishte kaluar në avantazh 1-0 me golin e Breel Embolos, por në minutat shtesë pësoi barazimin nga Bassam Al-Khoukhi pas një kundërsulmi të shpejtë të Katarit.
Kapiteni kishte shprehur shqetësime edhe më herët. Pas barazimit 1-1 në miqësoren kundër Australisë, ai kishte paralajmëruar se skuadra nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi.
“Kishte gjëra gjatë kësaj jave që nuk ishin të mira. Ndoshta na mashtron ndjesia se do ta kalojmë fazën e grupeve lehtësisht. Nëse luajmë kështu, do ta përfundojmë garën pas tre ndeshjesh”, kishte deklaruar ai.
Mediat raportojnë për pakënaqësi në ekip
Sipas gazetës zvicerane Blick, jo të gjithë brenda ekipit janë të kënaqur me mënyrën se si Xhaka e udhëheq skuadrën. Raportohet se disa lojtarë e shohin kapitenin si tepër kritik gjatë stërvitjeve dhe në dhomën e zhveshjes.
Mediumi zviceran citon burime pranë ekipit, sipas të cilave “shumë negativitet ndikon në moralin e ekipit” dhe se situata rrezikon të bëhet “toksike” nëse nuk menaxhohet siç duhet.
Xhaka, i cili verën e kaluar u largua nga Bayer Leverkuseni për t’iu bashkuar Sunderlandit për rreth 20 milionë euro, mori menjëherë shiritin e kapitenit edhe te klubi anglez. Ai ka kontratë me Sunderlandin deri në verën e vitit 2028.
Pavarësisht nisjes zhgënjyese, gjithçka mbetet e hapur në Grupin B. Zvicra do të përballet në ndeshjet e ardhshme me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kanadanë, ndërsa dueli mes këtyre dy përfaqësueseve u mbyll me rezultatin 1-1.
Për helvetikët, fitoret në dy sfidat e mbetura tashmë duken pothuajse të domosdoshme, ndërsa mbetet të shihet nëse skuadra do të arrijë t’i lërë pas tensionet e raportuara dhe të rikthehet në rrugën e suksesit.


