Anglia po diskuton mundësinë e zhvillimit të një miqësoreje me dyer të mbyllura kundër ekipit të MLS-së, Sporting Kansas City, me synimin për ta mbajtur të gjithë grupin në ritëm konkurrues gjatë Kupës së Botës 2026.
Takimi i planifikuar parashikohet të luhet mes ndeshjes së parë të Grupit L ndaj Kroacisë në Dallas dhe përballjes së dytë kundër Ganës, e cila zhvillohet të martën e ardhshme.
Ndonëse bisedimet vazhdojnë ende, burime pranë Federatës Angleze të Futbollit kanë treguar se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar sa i përket kundërshtarit dhe hollësive të organizimit.
“Tre Luanët” kanë ndjekur një metodë të ngjashme edhe në përgatitjet për Botërorin, duke luajtur një ndeshje stërvitore private ndaj Miamit gjatë grumbullimit të tyre në Florida.
Nëse kjo miqësore me Sporting Kansas City bëhet realitet, ajo pritet t’u shërbejë kryesisht lojtarëve që do të kenë pak minuta ose që mund të mos aktivizohen fare në sfidën me Kroacinë.
Ky takim shtesë do t’i jepte mundësi stafit teknik të Anglisë të mbajë në nivel fizik të gjithë skuadrën, ndërsa futbollistët rezervë do të mbeteshin gati për t’u futur në lojë në fazat e mëvonshme të turneut.
Anglia e nis aventurën në Kupën e Botës përballë Kroacisë, përpara ndeshjeve me Ganën dhe më pas me Xhamajkën në sfidën e fundit të fazës së grupeve.//


