Tifozët e Anglisë që do të jenë të pranishëm në ndeshjen e parë të kombëtares së tyre kundër Kroacisë në Kupën e Botës 2026 po ndeshen me rregulla të pazakonta në Dallas, ku disa nga flamujt tradicionalë anglezë mund të konfiskohen nga personeli i sigurisë së stadiumit.
Edhe pse qindra mbështetës janë parë të mbuluar me flamujt e Shën Gjergjit në zonat përreth stadiumit, autoritetet vendore kanë vendosur kufizime të forta për përdorimin e tyre brenda impiantit.
Nuk lejohet vendosja e flamujve mbi tabelat reklamuese
Klubi Zyrtar i Tifozëve të Anglisë (England Supporters Club) ka marrë njoftim nga menaxhmenti i stadiumit se një praktikë e zakonshme në arenat evropiane, vendosja e flamujve mbi tabelat LED rreth fushës, nuk do të lejohet në Dallas.
Vetëm disa pankarta zyrtare, të aprovuara paraprakisht, do të mund të vendosen në hapësirat pas portave. Ndërkohë, tifozët që sjellin flamuj personalë rrezikojnë t’i humbasin nëse tentojnë t’i shfaqin në vende që bien në kundërshtim me rregullat e stadiumit.
Sipas organizatorëve, këto masa janë vendosur për arsye sigurie dhe për të shmangur mbulimin e zonave reklamuese.
Stadiumi në Dallas është përballur me kritika edhe më parë për mënyrën si zbaton rregullat ndaj tifozëve.
Në një ndeshje të mëhershme, tifozëve të Holandës dhe Japonisë iu konfiskuan flamujt nga stafi i sigurisë, edhe pse të njëjtët flamuj ishin lejuar pa probleme në stadiume të tjera në Shtetet e Bashkuara.
Drejtori ekzekutiv i organizatës “Football Supporters Europe”, Ronan Evain, ka kritikuar mungesën e qartësisë në zbatimin e këtyre rregullave, duke theksuar se politikat duket se ndryshojnë nga një stadium në tjetrin.
Sipas tij, në disa arena tifozët mund t’i shfaqin flamujt pa pengesa, ndërsa në të tjera hasin kufizime të papritura, gjë që krijon paqartësi për mbështetësit që udhëtojnë për të ndjekur turneun.
Çfarë parashikojnë rregullat e FIFA-s?
Udhëzuesi zyrtar i FIFA-s për Kupën e Botës përcakton se flamujt e vegjël, banderolat dhe pankartat e prodhuara nga materiale rezistente ndaj zjarrit lejohen brenda stadiumeve. Për flamuj ose pankarta më të mëdha kërkohet miratim paraprak me shkrim.
Nga ana tjetër, FIFA vijon të ndalojë çdo simbol ose mesazh me përmbajtje politike.
Së fundmi, organizata fitoi një çështje gjyqësore në Los Anxhelos, e cila ndalon tifozët iranianë të përdorin në stadiume flamurin para-revolucionar të Iranit, duke e konsideruar atë një simbol politik.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si do të zbatohen rregullat në Botërorin 2026, veçanërisht për tifozët që presin ta shprehin mbështetjen e tyre përmes flamujve kombëtarë.


