Tuchel e çmon Kroacinë para sfidës në Kupën e Botës: Ka eksperiencë, kualitet dhe një mesfushë të shkëlqyer

Lajme

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, është shprehur me vlerësim të madh për Kroacinë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së parë të Grupit L në Kupën e Botës, që luhet të mërkurën në mbrëmje në Dallas.

Tekniku gjerman e përshkroi Kroacinë si një rival tepër të fortë, duke nënvizuar përvojën e futbollistëve dhe cilësinë që vijon ta shoqërojë skuadrën e drejtuar nga Zlatko Dalic.


“Besoj se është e qartë që ata vazhdojnë ta kenë bërthamën e ekipit në mesfushë, me Mateo Kovacic dhe Luka Modric. Disa gjëra kanë ndryshuar, sepse mund të luajnë edhe me tre mbrojtës, por kanë një prapavijë shumë të fortë dhe zemra e skuadrës mbetet mesfusha”, u shpreh Tuchel.

Ai theksoi më tej se Kroacia mbetet një nga përfaqësueset më të vështira për t’u përballur në turnetë madhorë.

“Kanë eksperiencë të madhe në turne, një trajner shumë me përvojë dhe tradicionalisht një ekip kombëtar shumë të fortë. Kjo është sfida që kemi përpara. Duhet të jemi të mirë në presion, të marrim iniciativën dhe të tregojmë cilësitë tona nëse duam të fitojmë”, theksoi ai.

Tuchel komentoi edhe dëmtimin e Tino Livramentos, i cili është larguar nga grumbullimi i Anglisë.

“Ai ishte shumë i zhgënjyer. E ndjeu menjëherë se ishte një dëmtim serioz. Pas kontrolleve u konfirmua se mund të mungojë për katër deri në pesë javë, ndaj u detyruam ta kthejmë në shtëpi. Ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, tha trajneri i Anglisë.

Lidhur me gjendjen e skuadrës para takimit, Tuchel u shfaq optimist.

“Jam i emocionuar. Këto 16 ditë kanë kaluar shumë shpejt. Tani që kemi mbërritur në qytetin ku do të luajmë, e ndiejmë emocionin dhe tensionin e garës. Kam ndjesinë se jemi gati dhe mezi presim të dalim në fushë”, përfundoi ai.

Ndeshja ndërmjet Kroacisë dhe Anglisë luhet të mërkurën nga ora 22:00 dhe konsiderohet si një nga duelët më interesantë të raundit të parë të Kupës së Botës.

Promo