Gjykata kanadeze rrëzon ankesën, ylli i Ganës mbetet jashtë ndeshjes së parë

Lajme

Thomas Partey do ta humbasë ndeshjen e parë të Ganës në Kupën e Botës, pasi Kanadaja nuk i lejon hyrjen

Mesfushori i Ganës, Thomas Partey, nuk do të jetë i gatshëm për takimin hapës të skuadrës së tij në Kupën e Botës, pasi një gjykatë në Kanada ka rrëzuar ankesën e tij ndaj vendimit që e pengon të hyjë në vend.


Vendimi u dha të martën dhe e lë ish-lojtarin e Arsenalit jashtë sfidës së Grupit L ndaj Panamasë. Në këtë grup ndodhen edhe Anglia dhe Kroacia, të cilat ndeshjen e tyre të parë do ta luajnë të mërkurën në Dallas.

Megjithatë, Partey nuk pritet të mungojë për pjesën e mbetur të turneut. Ndryshe nga Kanadaja, autoritetet amerikane i kanë miratuar vizën futbollistit të Villarrealit, duke i hapur rrugën për të luajtur në dy ndeshjet e mbetura të fazës së grupeve. Gana do të përballet me Anglinë më 23 qershor në Boston, ndërsa më 27 qershor do të ndeshet me Kroacinë në Filadelfia.

Avokatja e tij, Mackeda Bramwell, kishte shfaqur optimizëm për një vendim në favor të klientit të saj në Gjykatën Federale në Ottawa, por ankesa nuk pati sukses. Ajo kishte bërë të qartë më herët se, në rast të një vendimi negativ, nuk do të paraqitej një apelim i ri.

Partey është përfshirë në një proces të zgjatur gjyqësor në Angli. Në korrik 2025, ai u akuzua nga Policia Metropolitane e Londrës për pesë raste përdhunimi dhe një sulm seksual. Në shtator të po atij viti, futbollisti deklaroi pafajësinë për të gjitha akuzat.

Në shkurt 2026, ndaj tij u shtuan edhe dy akuza të tjera për përdhunim, të lidhura me një grua të katërt. Edhe për këto akuza, mesfushori ganez u deklarua i pafajshëm.

Sipas autoriteteve britanike, ngjarjet e pretenduara kanë ndodhur nga prilli 2021 deri në qershor 2022. Akuzat fillestare lidhen me dy gra që pretendojnë se janë përdhunuar, ndërsa një grua e tretë e akuzon për sulm seksual.

Në fillim, gjyqi ishte parashikuar të niste më 2 nëntor 2026, por për shkak të mbingarkesës së sistemit gjyqësor në Britani, procedurat janë shtyrë. Tani pritet që procesi të nisë gjatë vitit 2027 dhe të zgjasë nga gjashtë deri në tetë javë.

Pavarësisht situatës së tij ligjore, Partey vazhdon të jetë një nga emrat më të rëndësishëm të kombëtares së Ganës, me 58 paraqitje dhe 16 gola me fanellën e ekipit kombëtar.

Promo