Tottenham Hotspur është duke e ndjekur nga afër situatën e Sandro Tonalit dhe e ka vendosur mesfushorin italian mes objektivave kryesorë për afatin kalimtar të verës, sipas raportimit të “talkSPORT”.
Thuhet se trajneri Roberto De Zerbi është nxitësi kryesor i interesimit për yllin e Newcastle United, ndërsa klubi londinez tashmë ka vendosur kontakt me përfaqësuesit e lojtarit. Sidoqoftë, deri tani nuk ka pasur bisedime zyrtare me klubin anglez.
Interesim për Tonalin ka edhe nga rivalë të tjerë në Ligën Premier, pasi edhe Arsenali dhe Manchester City po e përcjellin nga afër situatën e 26-vjeçarit.
Megjithëse kërkohet nga disa klube në Angli, dëshira aktuale e reprezentuesit italian mbetet një rikthim te Milani, skuadra ku ai kaloi tri sezone të suksesshme përpara se të transferohej te Newcastle në vitin 2023 për afro 52 milionë funte.
Gjatë kohës së tij në “San Siro”, Tonali ishte një prej elementëve më të rëndësishëm të ekipit që fitoi titullin e Serie A në sezonin 2021/22.
Mesfushori është i lidhur me Newcastle me kontratë deri në verën e vitit 2028, ndërsa në sezonin e kaluar regjistroi 53 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke dhënë kontribut me tre gola dhe shtatë asistime.
Megjithatë, paraqitjet e tij nuk ishin të mjaftueshme që “Magpies” të siguronin një vend në garat evropiane. Newcastle e përfundoi sezonin në vendin e 12-të në renditje, katër pikë larg zonës që çonte në Ligën e Konferencës./


