Zyrtare: Artim Pollozhani emërohet trajner i Shkëndijës

Lajme

Shkëndija ka bërë zyrtar prezantimin e stafit teknik që do ta drejtojë ekipin në sezonin e ri, duke ia besuar pozitën e trajnerit të parë ish-kapitenit të klubit, Artim Pollozhanit.

Klubi kuqezi bëri të ditur se Pollozhani do të udhëheqë stafin teknik, duke marrë përsipër drejtimin e skuadrës në sfidat që e presin gjatë sezonit të ri, si në kampionatin vendor, ashtu edhe në garat evropiane.


Artim Pollozhani është një figurë e njohur te Shkëndija, pasi gjatë karrierës së tij si futbollist ka mbajtur veshur fanellën kuqezi në disa periudha dhe ka qenë edhe kapiten i ekipit. Pas mbylljes së karrierës si lojtar, ai ka ushtruar funksione të ndryshme në futboll, si ndihmës trajner, trajner i parë dhe drejtor sportiv.

Pjesë e stafit të tij do të jetë Bekim Osmani në rolin e ndihmës trajnerit, ndërsa Kushtrim Voka do të kryejë detyrën e ndihmës trajnerit dhe video-analistit.

Në të njëjtën kohë, Saladin Mustafi do të vazhdojë angazhimin si trajner i portierëve, ndërsa Saimir Fetai mbetet përgjegjës për përgatitjen fizike të skuadrës.

Me kompletimin e stafit teknik, Shkëndija ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për të siguruar rezultate pozitive në të gjitha garat.

Ekipi kuqezi do të niset sonte drejt Sllovenisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore përpara fillimit të sezonit të ri.

Promo