Emocione, gola spektakolarë dhe kthesa të shumta prodhoi përballja e grupit H mes Uruguait dhe Kepit të Gjelbër, e nisur në orën 00:00. Ndeshja e zhvilluar në “Hard Rock Stadium” të Miamit u mbyll me rezultatin 2-2.
Ishin debutuesit e Kepit të Gjelbër ata që goditën të parët në minutën e 21-të. Kevin Lenini realizoi një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit, duke kaluar skuadrën e tij në avantazh me një ekzekutim që solli ndër mend legjendën braziliane Roberto Carlos.
Uruguai reagoi në fundin e pjesës së parë dhe gjeti barazimin në minutën e 44-t përmes Maximiliano Araujos, i cili u gjend në vendin e duhur brenda zonës. Më pas, në minutën e 6-të shtesë të pjesës së parë, Agustin Canobbio kompletoi përmbysjen për amerikano-latinët.
Megjithatë, Kepi i Gjelbër nuk hoqi dorë as në fraksionin e dytë. Një moment pakujdesie në prapavijën uruguaiane u shfrytëzua në maksimum nga Helio Varela, i cili përfitoi edhe nga dalja e nxituar e portierit Fernando Muslera për ta dërguar topin në rrjetë.
Në këtë mënyrë, surpriza e Kepit të Gjelbër vazhdon edhe në këtë edicion të Botërorit. Aktualisht, kjo përfaqësuese renditet në vendin e tretë me 2 pikë, po aq sa Uruguai, ndërsa ka 2 më pak se Spanja kryesuese.
Vlen të kujtohet se spanjollët triumfuan bindshëm ndaj Arabisë Saudite, duke i mposhtur me “manita”, 5-0.
GOLAT:
Goli i Lenini (Uruguai 0-1 Kepi i Gjelbër)
Goli i Araujo (Uruguai 1-1 Kepi i Gjelbër)
Goli i Canobbio (Uruguai 2-1 Kepi i Gjelbër)
Goli i Varela (Uruguai 2-2 Kepi i Gjelbër)


