Venezia po i afrohet gjithnjë e më shumë një lëvizjeje të rëndësishme në merkaton e verës, teksa klubi italian është angazhuar fort për të afruar sulmuesin Albion Rrahmani.
Burimet bëjnë të ditur se mirëkuptimi me vetë futbollistin tashmë është arritur, ndërsa tani mbetet të përmbyllen vetëm detajet me klubin ku ai aktivizohet aktualisht, Sparta Praga.
Mbyllja e këtij operacioni pritet të ndodhë gjatë 48 orëve të ardhshme, ndërsa shuma e transferimit vlerësohet të jetë rreth 7 milionë euro.
Për skuadrën e drejtuar nga Giovanni Stroppa, Rrahmani konsiderohet si afrimi i parë në sulm, në një periudhë kur Venezia po tregohet mjaft aktive në këtë afat kalimtar, pas disa lëvizjeve dhe afrimeve të tjera në ekip.
Futbollisti kosovar, i lindur në vitin 2000, e ka ndërtuar hap pas hapi karrierën e tij, duke u spikatur fillimisht në futbollin e Kosovës me Ballkanin, ku u kurorëzua edhe golashënues dhe la gjurmë në garat evropiane.
Më vonë ai u transferua te Rapid Bukureshti dhe më pas te Sparta Praga, ku vazhdoi të konfirmojë potencialin e tij si një prej sulmuesve më premtues të rajonit.
Në rast se marrëveshja vuloset, Rrahmani pritet të ketë një rol të rëndësishëm në repartin ofensiv të Venezia-s për sezonin e ardhshëm.


