Trajneri i Bayern Munichut, Thomas Tuchel, ka folur rreth mënyrës se si planifikon ai që ekipi i tij t’i qaset ndeshjes ndaj Real Madridit, që do të luhet nesër (e martë) me fillim nga ora 21:00.
Për ta ilustruar më mirë planin e tij të lojës, tekniku gjerman mori një shembull mjaft të mirë.
“Varet nga taktikat, por gjithashtu ka të bëjë edhe sa je i lirë në fushë. Taktikat janë gjithmonë një mjet. Është sikur një veturë, por ne jemi ata që e vozisim atë”.
“Lojtarët duhet të kenë ide të qarta gjatë ndeshjes dhe atë duhet ta ndjejnë se janë të lirë të luajnë në fushë”.
“Ka të bëjë me një përzierje të fatit, momenteve dhe kualitetit për të eliminuar një ekip si Real Madridi, dhe nëse fati duhet të sfidohet, ne do ta sfidojmë atë”, ka thënë Tuchel.
Bayerni ka vuajtur këtë sezon në Bundesliga, pasi ata nuk arritën që të ndalin dominimin e Bayer Leverkusenit të Xabi Alonsos, me ‘Aspirinat’ që u shpallën kampion në elitën e futbollit gjerman.
Real Madridi në anën tjetër tashmë e ka siguruar titullin e La Ligas, ndërsa në Ligën e Kampionëve patën një detyrë të vështirë, pasi u desh që ta eliminonin nga kjo garë kampionin në fuqi, Manchester City.
Për bavarezët kjo sfidë ndaj Real Madridit do të jetë ‘jetë a vdekje’ për shkak se ky trofe është e vetmja mundësi për të mos dalë duarbosh nga ky sezon. /Telegrafi/
sport,Bayern Munich,Bundesliga,Thomas Tuchel , Bayern Munich,Bundesliga,Thomas Tuchel