Marc-Andre ter Stegen nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare mbi të ardhmen e tij te Barcelona, pasi aktualisht është i huazuar te Ajaxi.
Portieri gjerman 34-vjeçar ka kaluar 12 vite me klubin katalanas dhe pranon se ruan një marrëdhënie të veçantë me të. Megjithatë, ai theksoi se është ende herët për të parashikuar nëse do të rikthehet apo do të largohet përfundimisht në fund të sezonit.
“Kam kaluar 12 vite te Barcelona, prandaj kam një lidhje të veçantë me klubin. Për momentin jemi vetëm në nëntor dhe sinqerisht nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në verë”, deklaroi Ter Stegen.
Gjatë qëndrimit te Ajaxi, gardiani ka marrë një mbështetje të madhe, gjë që sipas tij ka ndikuar edhe në rikthimin e besimit te aftësitë personale.
“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të përjetosh një nivel të tillë besimi. Kjo dëshmon se kur jam në formën time më të mirë, mund t’i jap shumë ekipit”, shtoi portieri gjerman.
Ter Stegen komentoi edhe gjendjen e Kombëtares së Gjermanisë, veçanërisht diskutimet për ndryshimin e përbërjes së skuadrës dhe përfshirjen më të madhe të lojtarëve të rinj.
Ai vlerësoi si të arsyeshme kërkesën për t’u dhënë mundësi talenteve, por nënvizoi se në situata të vështira përvoja mbetet një element i rëndësishëm.
“Kohët e fundit, Kombëtarja e Gjermanisë nuk ka kaluar periudhën më të mirë. Shumë njerëz menjëherë kërkojnë lojtarë të rinj dhe insistojnë që të aktivizohen të gjithë talentet e rinj. Në përgjithësi, mendoj se kjo është e drejtë, por do të ketë edhe momente të vështira në të ardhmen, kur përvoja do të jetë shumë e rëndësishme”, përfundoi Ter Stegen.
