Scaloni shpjegon pse Messi do ta nisë nga stoli përballjen me Jordaninë

Scaloni shpjegon pse Messi do ta nisë nga stoli përballjen me Jordaninë

Lajme

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka bërë të ditur se Lionel Messi nuk do të jetë titullar në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, pasi ekipi kombëtar e ka siguruar tashmë kalimin më tej.

Në përballjen ndaj Jordanisë në Dallas, kapiteni do ta nisë takimin nga banka rezervë. Sipas Scalonit, ky vendim lidhet me nevojën për të menaxhuar ngarkesën e Messit dhe, njëkohësisht, për t’u krijuar hapësirë lojtarëve të tjerë që të marrin minuta para fazës së nokautit.

Duke dalë nga qasja e zakonshme për të mos zbuluar formacionin përpara ndeshjes, tekniku argjentinas e konfirmoi paraprakisht se roli i Messit në këtë sfidë do të jetë ai i një zëvendësuesi.

Scaloni theksoi se zgjedhja është bërë si për të kontrolluar lodhjen e veteranit, ashtu edhe për t’u dhënë mundësi bashkëlojtarëve të tij të aktivizohen.

“Lionel Messi do të jetë në stol, por po ju tregoj sepse jeni ju. Messi me shumë gjasë do të luajë pjesën e dytë”.

“Është një vendim i marrë kryesisht që edhe bashkëlojtarët e tij të kenë minuta. Do të shohim sa minuta do të luajë”.

“Lojtarët që do të luajnë nesër e meritojnë të jenë në fushë. Ata janë pjesë e skuadrës dhe një pjesë e madhe e asaj që është arritur është falë tyre, prandaj edhe kur nuk luajnë, ata mbeten të rëndësishëm”.

“Shpresa ime si trajner është që skuadra të luajë njësoj, edhe nëse lojtarët ndryshojnë”, ka thënë Scaloni.

Promo