Ryan Mendes, kapiteni i Kepit të Gjelbër, nën hetim për një kallëzim për përdhunim në Botërorin 2026

Ryan Mendes, kapiteni i Kepit të Gjelbër, nën hetim për një kallëzim për përdhunim në Botërorin 2026

Lajme

Ryan Mendes, kapiteni i Kombëtares së Kepit të Gjelbër, po hetohet nga policia e Zelandës së Re pas një denoncimi për përdhunim, që dyshohet të ketë ndodhur në mars të vitit 2026.

Mediumi brazilian geglobo raporton se procedura hetimore ka nisur që në prill dhe se autoritetet po analizojnë provat në dispozicion, mes tyre dëshmitë e personave të përfshirë dhe dokumentacionin mjekësor të paraqitur nga kallëzuesja.

Sipas raportimeve, ankesa zyrtare në polici është dorëzuar nga një grua që ka punuar si përkthyese gjatë qëndrimit të delegacionit të Kepit të Gjelbër.

Përveç denoncimit në organet ligjzbatuese, ajo u është drejtuar edhe disa institucioneve të futbollit, mes tyre FIFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kepit të Gjelbër, me kërkesën që të hapet një hetim dhe të shqyrtohen masa të mundshme disiplinore.

Policia e Zelandës së Re ka bërë të ditur se çështja vazhdon të jetë në hetim, por nuk ka dhënë informacion shtesë, duke iu referuar natyrës konfidenciale të procedurës.

Deri tani, as FIFA dhe as autoritetet e futbollit nuk kanë dalë me një reagim publik për këtë rast.

Ndërkohë, vetë Ryan Mendes, sulmuesi 36-vjeçar që luan për klubin turk Igdir FK, mbetet pjesë e Kombëtares së Kepit të Gjelbër në Kupën e Botës 2026.

Përfaqësuesja e tij tashmë e ka siguruar kalimin në fazën me eliminim direkt, ku në ndeshjen e ardhshme do të përballet me Argjentinën.

Promo