Kombëtaret

Roberto Martinez pritet të largohet nga Portugalia sapo të përfundojë Botërori 2026

Sipas raportimeve të fundit, Roberto Martinez pritet të largohet nga posti i përzgjedhësit të Kombëtarja e Portugalisë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, pavarësisht rezultateve që skuadra mund të arrijë në turne.Tekniku spanjoll ka kontratë vetëm deri në fund të muajit korrik dhe raportohet se

Roberto Martinez besohet se do ta mbyllë mandatin si trajner i Kombëtares së Portugalisë menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, pa marrë parasysh se deri ku mund të arrijë ekipi në këtë turne.

Burimet e fundit bëjnë të ditur se tekniku spanjoll, i cili është 52 vjeç, e ka marrë këtë vendim që para fillimit të Botërorit. Sipas talkSPORT, ai nuk ka ndërmend të zgjasë kontratën e tij, e cila vlen vetëm deri në fund të muajit korrik.

Pas tri vitesh në drejtimin e Portugalisë, Martinez duket se është gati të hapë një kapitull të ri në karrierë. Ai po vlerëson mundësinë e rikthimit në futbollin e klubeve, ndërsa një kthim në Ligën Premier mbetet në tavolinë. Po ashtu, emri i tij është përmendur edhe për disa role të rëndësishme në Evropë.

Në të njëjtën kohë, mbetet e hapur edhe mundësia që në të ardhmen ai të marrë drejtimin e një kombëtareje tjetër.

Bilanci i tij te Portugalia ka sjellë rezultate të përziera. Skuadra u ndal nga Franca në çerekfinalen e Euro 2024 pas penalltive, por më pas portugezët dhanë përgjigje të fortë duke mundur Spanjën në finalen e Ligës së Kombeve verën e kaluar.

Tashmë objektivi i Martinez është që ta përfundojë sa më mirë aventurën e tij me Portugalinë, duke synuar t’i dhurojë vendit trofeun e parë të Kupës së Botës në histori.

Trajneri spanjoll ka përvojë edhe nga dy edicione të Botërorit me Kombëtaren e Belgjikës. Në vitin 2018 ai e çoi Belgjikën deri te vendi i tretë, ndërsa katër vjet më pas përjetoi zhgënjim të madh, pasi skuadra u eliminua që në fazën e grupeve.

Portugalia shihet si një nga pretendentet kryesore për triumfin në Kupën e Botës 2026, duke pasur një përbërje me shumë yje dhe cilësi në çdo repart.

Fushata e tyre në këtë turne do të nisë me ndeshjen ndaj Kongos, ndërsa në Grupin K do të përballen gjithashtu me Uzbekistanin dhe Kolumbinë.