Drita dhe Prishtina përballen sot, të mërkurën, në ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Takimi mes skuadrës gjilanase dhe asaj kryeqytetase pritet të nisë në orën 13:00, në stadiumin me bari artificial në Gjilan.
Përballja ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Dritës në garat evropiane gjatë verës, ndërsa tani është gjetur koha për zhvillimin e saj.
Drita hyn në këtë ndeshje pas katër fitoreve radhazi. Një fitore e pestë do ta çonte në pikë të barabarta me Prishtinën dhe vetëm një pikë larg Malishevës, që kryeson tabelën.
Prishtina, ndërkaq, ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë ndeshjet e fundit. Ajo kërkon rezultat pozitiv për ta mbajtur Dritën pas vetes dhe për ta barazuar ose, eventualisht, për ta kaluar Malishevën në renditje.
