“Respekt për Italinë, por aspak frikë”, Kristjan Asllani “kërcënon” mbrojtjen kundërshtare: Broja mund t’u bëjë dëme

Lajme

Edhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja e parë e Shqipërisë në Euro 2024. Sfida e parë e kuqezinjve të Sylvinhos do të jetë më 15 qershor në orën 21:00 përballë Italisë, ndeshje e cila do të zhvillohet në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Ditën e sotme lojtari kuqezi që foli para mediave, ishte Kristjan Asllani. Mesfushori i Kombëtares shprehet shumë gati për ndeshjen ndaj Italisë, duke theksuar se mezi pret që të jetë në fushë.

Italia ka futbollistë të Interit, çfarë pyetjesh të kanë bërë lojtarët e Shqipërisë për ata?

Është normale që kanë pyetur, por të gjithë i njohin ato lojtarë. Shumica prej nesh luajnë në Serie A dhe ata janë të fortë, ashtu siç është Italia. Unë mezi po e pres këtë ndeshje.

Si e shikoni balancën midis mesfushës sonë dhe asaj të Italisë?

Këtë nuk e di, por të them të drejtën Italia është një nga kombëtaret më të forta në të gjithë botën. Edhe mesfusha jonë është shumë e fortë. Do të presim këtë ndeshje dhe të shohim si do të shkojë.

Si kanë shkuar përgatitjet dhe atmosfera?

Kanë shkuar mirë dhe ka harmoni dhe pozitivitet. Kemi një ndeshje me Italinë dhe po e studiojmë po shikojmë video, po e presim.

Më lehtë të përballesh me Italinë pa Barellan?

Ai është një nga mesfushorët më të mirë në botë, por përsëri kanë mesfushorë shumë të fortë, është edhe Frattesi.

Ka një bast mes teje dhe Frattesit?

Jo jo nuk kemi bast, por po fituam si njëri apo tjetri nuk do i flasim njëri-tjetrit për disa ditë.

Forca e Shqipërisë?

Forca jonë është grupi. Kemi tifozët që na mbështesin dhe po presim akoma sa më shumë sepse janë zjarr.

Do preferonit të qëndronit kështu siç jeni me 2 lojtarë para mbrojtjes, apo mesfushë më muskuloze?

Këto gjëra i vendos trajneri, por ne kemi luajtur në kualifikuese me dy mesfushorë. Por jemi mirë si me dy apo tre në mesfushë. Por në fushë duhet grintë dhe zemra, duhet të luftojmë.

Dimarco, Bastoni, Barella, Frattesi, Darmian, kë do doje të mos kishe përballë?

I dua të gjithë në fushë pasi janë shokët e mi dhe janë profesionista. Dua të jem unë në fushë, dua të jenë edhe ata.

Mendon se Broja mund të bëjë dëm mbrojtjes italiane?

Ai mund t’i bëjë dëme çdo ekipi pasi është një lojtarë shumë i fortë fizikisht. Shpresojmë që të na bëjë ndonjë gol.

Keni folur me Brojën ndoshta për një derbi Milan – Inter në të ardhmen?

Nuk është mirë të flasësh për këto gjëra, por shpresoj që Armando të shkojë në një ekip që luan dhe të ndihet mirë edhe ai.

Ngacmime shoqërore me lojtarët e Interit?

Kur doli grupi ne ishim në avion dhe kemi bërë pak shaka, por nuk kemi bërë ngacmime pasi e dimë vlerën e ndeshjes dhe nuk ka nevojë.

Sa gjasa ka që ndeshjen e parë të Shqipërisë të keni më shumë lojtarë që luajnë në Serie A, sa motiv?

Do jetë diçka e mirë, por siç thashë duhet të kemi shumë respekt për Italinë, por nuk kemi frikë pasi i dimë dhe ne kualitetet tona.



sport,kombetarja shqiptare,kristjan asllani , kombetarja shqiptare,kristjan asllani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *