Jude Bellingham nuk mori të njëjtin ndëshkim si ylli paraguajan Miguel Almiron, edhe pse u pa duke mbuluar gojën teksa fliste gjatë barazimit 0-0 të Anglisë ndaj Ganës në Kupën e Botës.
Mesfushori 22-vjeçar, i shpallur nga FIFA “Lojtari më i mirë i ndeshjes” pas paraqitjes së tij në Boston, qëndroi në fushë për 73 minuta përpara se vendin e tij ta zinte Morgan Rogers.
Në pjesën e parë, Bellingham pati një debat të ashpër me trajnerin e Ganës, Carlos Queiroz, i cili reagoi me zemërim pas një ndërhyrjeje që futbollisti i Real Madridit i bëri njërit prej lojtarëve të tij.
Më pas, Queiroz u shpreh se Bellingham kishte qenë me fat që nuk u ndëshkua me karton të verdhë, madje sipas tij edhe me karton të kuq, për atë episod.
Në një moment tjetër, ai u pa duke folur edhe me kapitenin e Ganës, Jordan Ayew, para se të dy futbollistët të largoheshin nga loja në pjesën e dytë.
Gjatë kësaj bisede me Ayew, Bellingham e mbuloi gojën me dorë, një veprim që FIFA e kishte ndaluar në rrethana të caktuara përpara Kupës së Botës 2026.
Nga ana tjetër, në triumfin 1-0 të Paraguait kundër Turqisë, ish-sulmuesi i Newcastle, Almiron, u përjashtua me karton të kuq pasi mbuloi gojën gjatë një përplasjeje verbale me mbrojtësin kundërshtar Mert Muldur.
Almiron u bë kështu lojtari i parë që shkel rregullin e ri të FIFA-s dhe u pezullua për një ndeshje, çka do të thotë se do të mungojë në sfidën e fundit të Paraguait në grup ndaj Australisë.
Pse Bellingham nuk u përjashtua kundër Ganës?
Shpjegimi lidhet me mënyrën se si FIFA e ka përcaktuar saktësisht se kur mbulimi i gojës përbën shkelje që ndëshkohet me karton të kuq.
Sipas këtij interpretimi, një futbollist nuk ndalohet automatikisht nëse mbulon gojën gjatë një bisede, pasi rregulli synon situatat me natyrë më agresive dhe konfrontuese.
Ky vendim u forcua pasi anësori i Benficas, Gianluca Prestianni, u pezullua për gjashtë ndeshje nga UEFA për përdorimin e një fyerjeje homofobike gjatë ndeshjes ‘play-off’ të skuadrës së tij ndaj Real Madridit në mars.
Argjentinasi fillimisht u akuzua për një koment racist ndaj Vinicius Junior, por UEFA nuk arriti të përmbushte pragun e nevojshëm të provave, pjesërisht sepse Prestianni kishte mbuluar gojën me fanellë ndërsa fliste.
Kreu i gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina, e sqaroi këtë rregull gjatë një konference informative të mbajtur para Kupës së Botës.
“Lojtarët mund të vazhdojnë ta mbulojnë gojën me një krah dhe me fanellën, sepse mund të bisedojnë me miqtë. Është normale të bisedosh para, gjatë ose pas ndeshjes. Pra, nëse biseda është miqësore, ata mund ta vazhdojnë pa asnjë problem”, deklaroi fillimisht Collina.
“Kur biseda është konfrontuese, mbulimi i gojës do të thotë se po bën diçka shumë të gabuar, potencialisht, dhe sanksioni është kartoni i kuq”, përfundoi ish-gjyqtari italian.


