Prishtina e konfirmon Anio Poçin si afrim të ri

Prishtina e konfirmon Anio Poçin si afrim të ri

Lajme

Prishtina ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit shqiptar Anio Poçi, i cili i bashkohet skuadrës si lojtar i lirë pas mbylljes së kontratës me kampionen e Shqipërisë, Egnatia.

Në vazhdën e përforcimeve për edicionin e ri 2026/27 në Superligën e Kosovës, klubi kryeqytetas prezantoi sot (e martë) qendërmbrojtësin nga Shqipëria.

“FC Prishtina njofton transferimin e qendërmbrojtësit Anio Poçi, i cili bëhet përforcimi i dytë i skuadrës për sezonin 2026/27”, thuhet në fillim të komunikatës së klubit.

Më tej, në njoftim theksohet se Poçi vjen te bardhekaltrit pas një sezoni të suksesshëm në futbollin shqiptar, ku me Egnatian fitoi titullin kampion dhe regjistroi 40 paraqitje në të gjitha garat.

Klubi ka vlerësuar gjithashtu përvojën e mbrojtësit shqiptar, duke nënvizuar se ai aktivizohet në qendër të mbrojtjes dhe se gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Greqi, te skuadra si Panionios, Proodeftiki dhe klube të tjera.

“Me përvojën dhe cilësitë e tij, Poçi pritet të jetë një vlerë e shtuar për repartin defensiv të skuadrës sonë në sezonin e ri”, përfundon njoftimi i Prishtinës.

Pas prezantimit zyrtar, futbollisti dha edhe fjalët e para për faqen zyrtare të klubit, duke u shprehur shumë i kënaqur për këtë transferim.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e FC Prishtinës. Do të jap maksimumin tim për të ndihmuar ekipin të arrijë objektivat e vendosura. Me paraqitjet e mia do të mundohem të kontribuoj sa më shumë, në mënyrë që së bashku të përmbushim pritshmëritë e klubit dhe të tifozërisë”, ka deklaruar Poçi.

Duhet theksuar se para pak ditësh Prishtina zyrtarizoi edhe Kastriot Selmanin nga Egnatia, ndërsa në krye të skuadrës është emëruar trajneri i ri Orges Shehi, që vjen së bashku me ndihmësit e tij Sebino Plaku, Labinot Qosa dhe Alban Shala.

Promo