Presidenti i Empolit flet hapur për Stiven Shpendin: Jemi të gatshëm të shqyrtojmë çdo ofertë

E ardhmja e Stiven Shpendit mund të marrë një kthesë të rëndësishme, pas një deklarate të shkurtër, por domethënëse, të presidentit të Empolit, Fabrizio Corsi. Në një prononcim për median “Trivenetegoal”, kreu i klubit italian dha sinjale të qarta lidhur me situatën e sulmuesit premtues.

Sipas informacioneve, për 23-vjeçarin ka interes konkret nga disa skuadra. Mes emrave të përmendur janë Genoa, që bën pjesë në elitën e futbollit italian, si dhe Padova, e cila e mbylli sezonin në vendin e 10-të në kategorinë e dytë më të rëndësishme.

“Deri më sot nuk kam marrë asnjë ofertë nga Padova. Megjithatë, më shumë e shoh te Genoa. Nëse vjen ndonjë ofertë, do t’i dëgjojmë. Thonë se pronarët e Padovës kanë potencial të shkëlqyer dhe janë shumë të pasur. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Corsi.

Shpendi konsiderohet aktualisht si një nga futbollistët më të dalluar në Itali, por jo vetëm. Për të mund të hapet rruga edhe për një debutim me Kombëtaren shqiptare. Ndërkohë, sipas “Transfermarkt”, vlera e kartonit të tij është 3.80 milionë euro.

Promo