Portugalia merr goditje të rëndë para sfidës me Kroacinë, Ricardo Carvalho largohet pas vdekjes së babait

Portugalia merr goditje të rëndë para sfidës me Kroacinë, Ricardo Carvalho largohet pas vdekjes së babait

Lajme

Pak para përballjes së 1/16 së finales së Kupës së Botës ndaj Kroacisë, kampi i Portugalisë është përballur me një ngjarje të rëndë.

Manuel Ribeiro de Carvalho, babai i ish-qendërmbrojtësit të njohur portugez Ricardo Carvalho, i cili sot është ndihmës i Roberto Martínez, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare.

Të hënën, Federata Portugeze e Futbollit (FPF) publikoi një mesazh ngushëllimi për familjen e ish-lojtarit të përfaqësueses portugeze.

“Në këtë moment dhimbjeje të thellë, presidenti, bordi drejtues dhe të gjithë punonjësit e Federatës Portugeze të Futbollit i shprehin ngushëllimet më të sinqerta Ricardo Carvalhos dhe familjes së tij, duke u dëshiruar forcë për ta përballuar këtë humbje të pariparueshme”, thuhej në deklaratën e FPF-së.

Po ashtu, Federata bëri të ditur se Ricardo Carvalho do të niset për në Portugali në orët në vijim, me qëllim që të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit. Ky informacion u publikua pas konferencës për shtyp ku ishte i pranishëm edhe sulmuesi i Portugalisë, João Félix.

I vlerësuar si një nga mbrojtësit më inteligjentë të gjeneratës së tij, Carvalho u dallua jo aq për fuqinë fizike, sesa për vendosjen në fushë, qetësinë dhe aftësinë e shkëlqyer për të lexuar lojën.

Në karrierën e tij, ai fitoi tituj kampionë me Porton, Chelsean, Real Madridin dhe Monacon, ndërsa në vitin 2004 triumfoi edhe në Ligën e Kampionëve me Porton.

Me Portugalinë, Ricardo Carvalho numëroi 89 ndeshje dhe realizoi pesë gola, duke qenë pjesë e Kupave të Botës 2006, 2010 dhe 2014, si edhe e dy Kampionateve Evropiane.

Vdekja e babait të tij vjen në një periudhë të ndjeshme për përfaqësuesen portugeze, që po bëhet gati për një nga takimet më të rëndësishme të këtij turneu përballë Kroacisë.

https://x.com/selecaoportugal/status/2071667763018350843

Promo