Portugalia dhe Republika Demokratike e Kongos e mbyllën pjesën e parë në barazim 1-1 në përballjen e tyre për Kupën e Botës 2026.
Luzitanët e nisën takimin në mënyrën më të mirë, duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 6-të.
Pedro Neto dhuroi një pasim të bukur në zonë, ndërsa Joao Neves iu shmang mbrojtjes kundërshtare dhe shënoi me kokë për 1-0.
Megjithatë, përfaqësuesja afrikane tregoi se nuk kishte hyrë në fushë për t’u dorëzuar. Në minutën e 11-të, Yoane Wissa iu afrua shumë golit të barazimit, por tentativa e tij kaloi shumë pranë shtyllës së majtë.
Takimi vijoi me ritëm të lartë, ndërsa gjyqtari Abdulrahman Al Jassim u detyrua të ndëshkonte me karton të verdhë Bernardo Silvën në minutën e 13-të dhe më pas Chancel Mbembën në minutën e 32-të.
Kur gjithçka po shkonte drejt mbylljes së pjesës së parë me epërsinë e Portugalisë, RD e Kongos goditi në kohën shtesë.
Në minutën e 45+5, Arthur Masuaku krosoi saktë në zonë dhe Yoane Wissa u gjend në vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë nga afërsia, duke vendosur barazimin 1-1.
Portugalia pati një kontroll të pjesshëm të lojës pas golit të shpejtë, por afrikanët reaguan mirë dhe u shpërblyen në fund të pjesës së parë, duke lënë gjithçka të hapur për 45 minutat në vijim.


