Janë përcaktuar të gjitha 16 kombëtaret që do të garojnë në Kampionatin Evropian U-21, Euro 2027, i cili do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.
Holanda, Çekia, Finlanda dhe Greqia siguruan vendin në turne pas disa ndeshjeve emocionuese në fazën eliminatore, duke plotësuar listën e pjesëmarrëseve.
Këtyre përfaqësueseve u bashkohen organizatoret Shqipëria dhe Serbia, si edhe Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Portugalia, Spanja dhe Polonia, e cila u kualifikua si skuadra e dytë me bilancin më të mirë.
Katër grupet e turneut, secili me nga katër ekipe, do të përcaktohen përmes shortit që do të hidhet të enjten, më 26 nëntor, në orën 18:30, në Qendrën e Kongresit Sava në Beograd.
Takimet e Kampionatit Evropian U-21 do të zhvillohen në tetë stadiume, me Shqipërinë dhe Serbinë që do të presin nga katër impiante secila.
Në Shqipëri janë përzgjedhur “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave” në Tiranë, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Loro Boriçi” në Shkodër. Në Serbi, ndeshjet do të luhen në “Beograd Stadium”, “Backa Stadium”, “Loznica Stadium” dhe “Leskovac Stadium”.
Turneu do të nisë më 16 qershor 2027 me ndeshjen hapëse në Beograd, ndërsa finalja do të zhvillohet më 3 korrik 2027 në stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës.
