Pau Cubarsi mezi pret sfidën me Ronaldon: Do të ishte një përjetim i paharrueshëm

Pau Cubarsi mezi pret sfidën me Ronaldon: Do të ishte një përjetim i paharrueshëm

Lajme

Para ndeshjes së shumëpritur mes Spanjës dhe Portugalisë në fazën e 1/8-tës së Kupës së Botës 2026, qendërmbrojtësi spanjoll Pau Cubarsi ka folur me admirim për Cristiano Ronaldon.

19-vjeçari, që tashmë është kthyer në një prej pikave më të forta të repartit defensiv të Spanjës, tregoi se nuk arriti të përballej më herët me portugezin për shkak të një dëmtimi në Ligën e Kombeve.

“U riktheva nga lëndimi, por nuk mora pjesë në Ligën e Kombeve dhe nuk pata mundësinë të luaja kundër Cristiano Ronaldos”, ka deklaruar Cubarsi për RNE Deportes.

Në një nga duelet më të rëndësishme të fazës eliminatore, Spanja do të ndeshet me Portugalinë, ndërsa një prej lojtarëve më të mëdhenj të historisë do të përballet me brezin e ri të futbollistëve spanjollë, ku spikasin Cubarsi dhe Lamine Yamal.

Mbrojtësi i Barcelonës u shpreh me vlerësime të mëdha për ikonën portugeze, teksa komentoi mundësinë për ta pasur përballë në fushë.

“Të gjithë e dimë historinë e tij dhe gjithçka që i ka dhënë futbollit. Të jem në fushë me të do të ishte diçka e paharrueshme”.

Cubarsi bëri të ditur gjithashtu se dëshiron të ndërrojë fanellën me kapitenin e Portugalisë pas përfundimit të takimit, ndonëse e pranoi me shaka se kjo nuk do të jetë aspak e thjeshtë.

“Dua ta ndërroj fanellën me Cristiano Ronaldon pas ndeshjes me Portugalinë, por me siguri do të ketë radhë për të”, tha ai me humor.

Deri në këtë pikë të turneut, Cubarsi ka pasur paraqitje shumë të mira dhe, në partneritet me Aymeric Laporte, ka kontribuar që Spanja të mbajë portën të paprekur në rrugën drejt fazës së 1/8-tës së Kupës së Botës 2026.

Promo