Jesus Owono, portieri i Andorrës, ka reaguar për herë të parë publikisht pas vdekjes së sulmuesit të Tenerife, Jesus de Miguel.
Përmes një deklarate të shpërndarë të mërkurën në kanalet zyrtare të FC Andorra, Owono tha se po përjeton ditët më të vështira të jetës së tij. Ai u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të futbollistit të ndjerë.
Portieri tregoi se e ka të vështirë të gjejë fjalë dhe të kuptojë çfarë ka ndodhur. Ai tha se ndien dhimbje të jashtëzakonshme për humbjen e Jesusit dhe se mendimet e tij janë me të, me familjen e tij dhe me të gjithë ata që e kanë dashur.
Owono pranoi se ka shumë pyetje që do të duhet të diskutohen dhe u shpreh se do të përballet me gjithçka që pason me respekt të plotë. Për momentin, tha ai, nuk mund të mendojë për asgjë tjetër veç Jesusit dhe dhimbjes që po përjetojnë. Ai e mbylli mesazhin me fjalët: “Pusho në paqe, Jesus”.
Përpara kësaj deklarate, Owono kishte mbyllur llogarinë e tij në Instagram, pasi po merrte fyerje dhe kërcënime.
De Miguel, 30 vjeç, vdiq të martën në mëngjes në një spital në Santa Cruz de Tenerife. Ai pësoi arrest kardiak pas përplasjes me Owonon gjatë kohës shtesë të ndeshjes Tenerife – Andorra, e luajtur të hënën.
Policia ka nisur hetimet për vdekjen e tij dhe çështja është nën mbikëqyrje gjyqësore. Në shenjë respekti për futbollistin e ndjerë, ndeshja e ardhshme e Andorrës kundër Mallorcas është shtyrë.
