Një tjetër çast viral nga Botërori: Paraguajani luajti për pak minuta me orën e arbitrit në dorë

Lajme

Një ngjarje e pazakonshme shoqëroi sfidën mes Paraguait dhe Turqisë në Kupën e Botës 2026, ku në qendër të vëmendjes ishte mesfushori paraguajan Matias Galarza.

Galarza u kthye në heroin e skuadrës së tij pasi shënoi golin e fitores, por pas mbylljes së ndeshjes, vëmendja e tifozëve dhe e mediave u zhvendos te një episod i veçantë që ndodhi gjatë takimit.


Gjatë një përplasjeje mes futbollistëve në fushë, arbitri i ndeshjes, Ivan Barton, humbi orën e tij.

Galarza e pa atë në barin e stadiumit, e mori dhe madje e vendosi në dorë, duke vazhduar lojën për disa minuta me orën e arbitrit në kyçin e tij.

Pamjet e këtij incidenti qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe komente të shumta nga tifozët, të cilët e konsideruan situatën si një nga momentet më të veçanta dhe më argëtuese të këtij Botërori.

Në fund, gjithçka u mbyll pa asnjë problem, pasi ora iu kthye arbitrit Barton, ndërsa Galarza mbeti në qendër të vëmendjes jo vetëm për golin vendimtar, por edhe për episodin e pazakontë që i dha një nuancë interesante përballjes Paraguay-Turqi.

Promo