Niklas Sule lë pas pensionimin nga elita dhe firmos me SV Tiefenbach: Dua ta shijoj futbollin ndryshe

Niklas Sule lë pas pensionimin nga elita dhe firmos me SV Tiefenbach: Dua ta shijoj futbollin ndryshe

Lajme

Ndonëse në fillim të muajit maj bëri të ditur se po tërhiqej nga futbolli profesionist, Niklas Sule nuk i ka mbyllur ende përfundimisht llogaritë me lojën.

Pak ditë pasi i përfundoi kontrata me Borussia Dortmundin, ish-reprezentuesi i Gjermanisë ka zgjedhur të vijojë karrierën, këtë herë larg futbollit të niveleve më të larta.

Sipas raportimit të Sky, mbrojtësi i qendrës, 30 vjeç, ka finalizuar marrëveshjen me SV Tiefenbach, skuadër që luan në Kreisliga, një prej kampionateve amatore në Baden-Württemberg.

Vendimin e tij e ka pohuar edhe vetë Sule, i cili theksoi se synon ta jetojë futbollin në një formë krejt tjetër.

“Mezi pres që më në fund ta përjetoj futbollin nga një perspektivë krejtësisht e ndryshme, ku bëhet fjalë vetëm për sportin dhe jo për biznesin apo paratë. Dy nga miqtë e mi më të mirë luajnë te SV Tiefenbach, ndërsa njëri prej tyre është edhe trajner i ekipit. Pas 13 vitesh si futbollist profesionist, është një dhuratë absolute për mua të jem në fushë me shokët e mi dhe ta shijoj sërish gëzimin e këtij sporti”, tha Sule.

Me këtë hap, mbrojtësi gjerman i jep fund aventurës së tij në futbollin profesionist pas një rruge të rëndësishme, gjatë së cilës ka luajtur për Hoffenheimin, Bayern Munichut dhe Borussia Dortmundit, si edhe ka regjistruar 49 ndeshje me Kombëtaren e Gjermanisë.

Për Sulen tashmë hapet një etapë e re, larg ngarkesës dhe milionave të futbollit elitar, por më pranë miqve të tij dhe pasionit të pastër për lojën.

Promo