Gjermania i dha fund në mënyrë të papritur rrugëtimit të saj në Kupën e Botës, pasi u mund nga Paraguai me penallti në raundin e 1/8 së finales.
Koha e rregullt dhe shtesat u mbyllën me rezultatin 1:1, ndërsa nga pika e bardhë paraguajanët dolën fitues me shifrat 4:3. Njeriu më i pafat i mbrëmjes për “Pancerët” ishte Jonathan Tah, që gaboi penalltinë vendimtare në serinë e gjashtë.
Më herët kishin dështuar edhe Kai Havertz dhe Nick Woltemade, megjithatë humbjet e penalltive nga Antonio Sanabria dhe Fabian Balbuena i mbajtën përkohësisht gjermanët në garë.
Në zhvillimin e ndeshjes, Paraguai kaloi i pari në avantazh me Julio Enciso në minutën e 42-të, ndërsa Gjermania reagoi në minutën e 54-të, kur Havertz realizoi golin e tij të tretë në këtë turne për të rikthyer baraspeshën.
Pavarësisht përpjekjeve, skuadra gjermane nuk arriti të shënonte golin e fitores as gjatë kohës së rregullt dhe as në vazhdime.
Rasti më i afërt erdhi në minutën e 102-të, kur Jonathan Tah e dërgoi topin në rrjetë, por VAR-i e anuloi golin për një faull të mëparshëm.
Pas përfundimit të takimit, Nagelsmann shpërtheu ndaj këtij vendimi. “Një skandal i plotë”, u shpreh ai, ndërsa eksperti i arbitrimit i ZDF, Thorsten Kinhöfer, e përshkroi vendimin si “absolutisht të pakuptueshëm”.
Pas këtij eliminimi, Julian Nagelsmann u pyet për vazhdimësinë e tij në krye të kombëtares gjermane.
“Jo, nuk është në duart e mia. Jam gati të vazhdoj nëse ata e duan këtë. Nëse jo, atëherë duhet të ma thonë”, deklaroi ai për MagentaTV.
Më vonë, në një prononcim për ZDF, trajneri pranoi se zhgënjimi ishte i madh, por nënvizoi se mbetet i gatshëm të vazhdojë punën.
Emocionet nuk i fshehu as Kai Havertz pas daljes nga turneu.
“Nuk kam shumë për të thënë, jam pa fjalë. Kjo është Kupa ime e dytë e Botës dhe i kam zhgënjyer njerëzit në të dyja rastet. Turneu i fundit nuk solli asgjë. E vetmja gjë që mund të them është: Më vjen keq. Të gjithë jemi të zhgënjyer. Është një ndjenjë e tmerrshme t’i zhgënjesh të gjithë përsëri”, tha sulmuesi gjerman.
Dalja kundër Paraguait shënon një tjetër goditje të rëndë për Gjermaninë, që edhe kësaj here i jep lamtumirën Kupës së Botës shumë më herët nga sa ishte parashikuar.



