Argjentina e përfundoi në mënyrën më të mirë fazën e grupeve në Kupën e Botës 2026, pasi triumfoi 3-1 ndaj Jordanisë dhe e mbylli grupin me maksimumin e pikëve.
Kampionët në fuqi e dëshmuan sërish rolin e tyre si favoritë, ndërsa Lionel Messi, i futur në lojë nga stoli, ndikoi menjëherë duke realizuar një gol spektakolar.
Që në fillim të takimit, argjentinasit morën kontrollin dhe ndërtuan disa raste të mira shënimi. Fillimisht, një gol i Giovani Lo Celso u anulua për pozitë jashtë loje, por ai arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 19-të me një goditje dënimi të realizuar në mënyrë të shkëlqyer për 1-0.
Ekipi i drejtuar nga Lionel Scaloni vijoi dominimin dhe në minutën e 30-të fitoi penallti pas rishikimit me VAR. Nga pika e bardhë, Lautaro Martínez nuk gaboi dhe e çoi epërsinë në 2-0.
Jordania reagoi pas pushimit dhe në minutën e 55-të arriti të shkurtojë diferencën. Mousa Tamari mposhti portierin argjentinas pas asistimit të Ehsan Haddad, duke çuar rezultatin në 2-1.
Në minutën e 60-të erdhi çasti që tifozët prisnin, kur Messi u hodh në fushë nga stoli në vend të Lautaro Martinezit.
Pas vetëm 20 minutash në lojë, kapiteni argjentinas vulosi suksesin me një supergol nga goditja e lirë. Ai e dërgoi topin me saktësi në cepin e portës, pa i lënë asnjë shans portierit kundërshtar, për rezultatin përfundimtar 3-1.
Falë kësaj fitoreje, Argjentina e mbylli fazën e grupeve me 9 pikë në tri ndeshje, duke kaluar në fazën me eliminim direkt si vendi i parë i grupit dhe duke konfirmuar formën shumë të mirë në mbrojtje dhe në sulm.


