Kombëtaret

Messi përgatit kërkesë ligjore për përdorimin e imazhit të tij nga AFA

Lionel Messi po përgatitet të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA), me synimin që ajo të mos përdorë më emrin, fotografitë dhe videot e tij për qëllime tregtare. Gazeta argjentinase Clarín raporton se futbollisti 39-vjeçar ka angazhuar ekspertë ligjorë për…

Messi përgatit kërkesë ligjore për përdorimin e imazhit të tij nga AFA

Lionel Messi po përgatitet të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Federatës së Futbollit të Argjentinës (AFA), me synimin që ajo të mos përdorë më emrin, fotografitë dhe videot e tij për qëllime tregtare.

Gazeta argjentinase Clarín raporton se futbollisti 39-vjeçar ka angazhuar ekspertë ligjorë për hartimin e një dokumenti zyrtar, përmes të cilit kërkon t’i ndalojë federatës shfrytëzimin e imazhit të tij për përfitime financiare.

Marrëdhëniet e Messit me drejtuesit e AFA-s janë përkeqësuar ndjeshëm, sidomos ato me presidentin Claudio Tapia. Ky i fundit po përballet me akuza dhe hetime mbi dyshime për parregullsi financiare në federatë.

Një burim kryesor i pakënaqësisë lidhet me një reklamë për një markë birre argjentinase, ku u përdor imazhi i Messit gjatë Kupës së Botës së fundit. Kapiteni i Argjentinës ka marrëveshje sponsorizimi me markën amerikane Michelob, ndaj ekipi i tij u detyrua t’u jepte shpjegime partnerëve komercialë për fushatën e miratuar nga AFA.

Sipas Clarín, vendime të tjera tregtare të federatës kanë shkaktuar gjithashtu vështirësi për futbollistin dhe ekipin e tij. Raportohet se Messi dhe familja e tij janë detyruar disa herë të sqarohen me sponsorë ndërkombëtarë për vendime në të cilat nuk kishin marrë pjesë.

Pakënaqësisë i janë shtuar polemikat financiare rreth drejtuesve të AFA-s. Presidenti Claudio Tapia dhe arkëtari Pablo Toviggino përmenden në hetime mbi dyshime për keqpërdorim financiar dhe përdorim të kompanive të huaja për të fshehur rrjedhën e parave. Sipas raportimit, Messi kërkon të mbrojë reputacionin dhe marrëveshjet e tij ndërkombëtare nga pasojat e mundshme të këtyre zhvillimeve.

Si një tjetër shkak pakënaqësie përmendet organizimi i ndeshjes së lamtumirës së tij me kombëtaren argjentinase, kundër Beninit në tetor. Gjatë ceremonisë në stadiumin Monumental pati probleme me zërin, ndriçimin dhe koreografinë me dronë. Kritika shkaktoi edhe prania e reklamave të sponsorëve në një moment që duhej t’i kushtohej karrierës së Messit.

Nuk është e qartë nëse dokumenti ligjor i është dorëzuar zyrtarisht federatës. Burime të cituara nga Clarín japin versione të ndryshme: disa thonë se AFA e ka pranuar kërkesën, ndërsa të tjerë se dokumenti është hartuar, por ende nuk është dërguar.

Messi e ka përfunduar rrugëtimin me kombëtaren argjentinase pas më shumë se dy dekadash, gjatë të cilave fitoi Kupën e Botës 2022 dhe dy tituj të Copa América. Ai vijon të luajë për Inter Miami. Deri tani, as Messi dhe as presidenti Tapia nuk kanë komentuar publikisht raportimet për hapat e mundshëm ligjorë.