Argjentina e ka hapur me fitore rrugëtimin e saj në Kupën e Botës, pasi mposhti Algjerinë me rezultatin 3-0 në ndeshjen e Grupit J të luajtur në Kansas City.
Figura qendrore e sfidës ishte kapiteni Lionel Messi, që shënoi të tre golat në minutat 17, 60 dhe 76, duke i udhëhequr kampionët në fuqi drejt një starti ideal në turne.
Takimi nisi me intensitet të lartë, teksa brenda tetë minutave të para u anuluan dy gola. Fillimisht realizoi Messi në minutën e 4-t, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Më pas shënoi edhe Fares Chaïbi për Algjerinë, por edhe goli i tij nuk u pranua.
Në minutën e 17-të, Argjentina zhbllokoi rezultatin. Rodrigo De Paul asistoi për Messin, i cili depërtoi në zonë dhe shënoi me një goditje të saktë nga rreth 17 metra.
Me këtë realizim, të 14-tin e tij në historinë e Kupave të Botës, Messi iu bashkua emrave si Kylian Mbappé dhe Gerd Müller në renditjen e golashënuesve më të mirë në historinë e turneut.
Në pjesën e dytë, Argjentina e siguroi fitoren. Në minutën e 60-të, pas një goditjeje të Alexis Mac Allister të devijuar nga portieri Luca Zidane, Messi reagoi i pari dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.
Ky ishte goli i tij i 15-të në Kupën e Botës, duke e barazuar me Cristiano Ronaldon në listën historike të realizuesve.
Het-triku u plotësua në minutën e 76-të, pas një kombinimi me Nicolás González, kur Messi realizoi bukur nga kufiri i zonës për shifrat përfundimtare 3-0.
Në minutën e 79-të, trajneri Lionel Scaloni vendosi ta zëvendësonte Messin, ndërsa i gjithë stadiumi e përcolli me duartrokitje.
Përtej fitores, Messi vendosi edhe rekorde historike: ai arriti në 200 paraqitje me kombëtaren dhe u bë lojtari i parë që luan në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës.
Kështu, Argjentina e nis me dominim të plotë mbrojtjen e titullit botëror.


