Lionel Messi dhe përfaqësuesja e Argjentinës po bëhen gati për ndeshjen e fazës së 1/16-ve të Kupës së Botës 2026, ku do të përballen me një nga surprizat më të mëdha të këtij turneu, Kepin të Gjelbër.
Skuadra kampione në fuqi ka mbërritur në Miami, qytetin ku do të luhet takimi, por që në momentin e mbërritjes është përballur me procedura të forta sigurie.
Të gjithë futbollistët argjentinas janë detyruar të kalojnë kontrollet e sigurisë që në pistën e aeroportit, përfshirë edhe verifikimin me detektor metali.
Edhe Messi, ndonëse aktivizohet në futbollin e klubeve me Inter Miami, nuk ka pasur asnjë përjashtim dhe i është nënshtruar të njëjtit proces si pjesa tjetër e ekipit.
Në pamjet e publikuara në rrjetin social X, ylli argjentinas duket teksa u dorëzon sendet e tij personale punonjësve të sigurisë dhe më pas pret në krah të pistës gjatë zhvillimit të kontrollit.
Sulmuesi shihej duke buzëqeshur, në një reagim që linte të kuptohej se procedura e pazakontë e kishte habitur, por edhe e kishte argëtuar.
Disa minuta më pas, atij iu kthyen sërish sendet personale, pasi një zyrtar sigurie i vendosi me kujdes në valixhe para se t’ia dorëzonte.
Në të njëjtën kohë, pjesa tjetër e kombëtares argjentinase kishte filluar tashmë të kalonte në radhë procesin e kontrollit.
Këto masa të shtuara bëjnë pjesë në protokollet e ashpra të sigurisë të miratuara për Kupën e Botës 2026.
Për shkak të shqetësimeve që lidhen me kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë, çdo pasagjer që mbërrin në qytetet pritëse në Shtetet e Bashkuara i nënshtrohet kontrolleve menjëherë pas zbritjes.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në turne kanë kaluar të njëjtat procedura gjatë ndeshjeve të zhvilluara në SHBA, ndërsa Argjentina sapo është ndeshur me këtë proces në Miami.
Siguria vijon të jetë një pjesë thelbësore e organizimit të turneut, duke hapur njëherazi debat nëse kontrollet e drejtpërdrejta në pistë janë forma më e përshtatshme për menaxhimin e sigurisë së ekipeve dhe pasagjerëve.



