Nico O’Reilly është kthyer në alternativën kryesore të Anglisë në krahun e majtë të mbrojtjes përpara Kupës së Botës, megjithatë lojtari i talentuar i Manchester Cityt mendon se në planin afatgjatë vendi i tij është në mesfushë.
Edhe pse 20-vjeçari ka lënë përshtypje shumë të mira në rolin e mbrojtësit të majtë, ai ka pranuar se pozicioni ku ndihet më natyrshëm mbetet ai i mesfushorit “box-to-box”.
“Mendoj se në të ardhmen do të kthehem në mesfushë. Profili im dhe gjithçka që kam përshtatet atje, ndoshta si një mesfushor ‘box-to-box’. Por si mbrojtës i majtë e kam shijuar dhe kjo më ka sjellë këtu, në një Kupë Bote”, deklaroi O’Reilly.
Futbollisti i Manchester Cityt sqaroi gjithashtu se detyra që po kryen aktualisht nuk përkon me atë të një mbrojtësi të majtë klasik, pasi ai shpesh zhvendoset në zonat qendrore të fushës dhe gëzon më shumë liri në lojën e tij.
“Duke luajtur si mbrojtës i majtë, në shumicën e kohës jam në qendër të fushës. Nuk është se luaj si një mbrojtës i majtë tradicional. Edhe te Anglia, futem brenda dhe më lejohet të lëviz lirshëm, kështu që është pak më e lehtë”, shtoi ai.
Pavarësisht paraqitjeve pozitive në repartin defensiv, O’Reilly lë të kuptohet qartë se në vitet që vijnë synon të rikthehet në rolin ku e sheh veten më mirë, atë të mesfushorit.


