Paraqitjet mbresëlënëse të Johan Manzambit në Kupën e Botës kanë sjellë një rritje të ndjeshme të vlerës së tij në tregun e transferimeve.
Futbollisti 20-vjeçar i SC Freiburg po vlerësohet si një prej zbulimeve më të spikatura të këtij turneu, ndërsa klubi gjerman tashmë i ka vendosur një çmim shumë të lartë kartonit të tij.
Sipas raportimeve më të fundit nga Sky, Freiburg kërkon deri në 70 milionë euro për yllin zviceran. Më herët, mediat angleze kishin bërë të ditur se transferimi i tij mund të realizohej për rreth 55 milionë euro, por ndeshjet e fundit në Botëror e kanë shtyrë ndjeshëm lart këtë shifër.
Në këtë Kupë të Botës, Manzambi ka kaluar një formë të jashtëzakonshme, duke realizuar tre gola dhe një asist në vetëm tri ndeshje, tregues që kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha të Evropës.
Për momentin, skuadra që po shfaq interesimin më të madh për të është Newcastle United. Pas transferimit të Anthony Gordon te Barcelona për 80 milionë euro dhe me Sandro Tonalin pranë kalimit te Tottenham Hotspur për më shumë se 100 milionë euro, “Magpies” kanë siguruar hapësirë të konsiderueshme financiare dhe janë të përgatitur të bëjnë një investim të fuqishëm për të marrë firmën e supertalentit zviceran.



