Fabrizio Romano ka bërë të ditur se kalimi i Elliot Anderson te Manchester City është mbyllur përfundimisht.
Ky zhvillim vjen gjatë Kupës së Botës, turne në të cilin Anderson është pjesë e kombëtares së Anglisë dhe tashmë konsiderohet një element i pazëvendësueshëm te “Tre Luanët”.
Paraqitjet e tij me Nottingham Forest në sezonin e kaluar lanë gjurmë, duke i siguruar edhe një ftesë nga trajneri Thomas Tuchel, ndërsa tani ai është pranë hapit më të madh në karrierë.
Sipas Romanos, Manchester City do t’i paguajë Nottingham Forest 135 milionë euro për kartonin e Andersonit, ndërsa shifra me bonuse mund të arrijë deri në 150 milionë euro. Kontrollet mjekësore do të zhvillohen në SHBA.
Me këtë operacion, City pritet të vendosë rekordin e ri të klubit për shumën më të lartë të paguar ndonjëherë për një futbollist, duke lënë pas transferimin e Jack Grealish nga Aston Villa për 117.5 milionë euro.
Po ashtu, marrëveshja e Andersonit pritet të tejkalojë edhe rekordin e Ligës Premier, i cili aktualisht i takon kalimit të Alexander Isak nga Newcastle te Liverpool për 140 milionë euro.
Anderson, 23 vjeç, është zhvilluar si lojtar në Newcastle, përpara se të transferohej te Forest në vitin 2024 për 41 milionë euro. Tani, ish-kampioni i Evropës do të përfitojë ndjeshëm financiarisht nga shitja e tij te Manchester City.
Deri në këtë moment, ai numëron 11 ndeshje me përfaqësuesen e Anglisë.


