Lorenco Vila do të mbetet te Dinamo, duke vijuar rrugëtimin e tij me skuadrën kryeqytetase. Siç kishte raportuar “Newsport.al” rreth një muaj më parë, sulmuesi 27-vjeçar ka zgjedhur të zgjasë bashkëpunimin me klubin.
Marrëveshja e re do ta mbajë Vilën pjesë të Dinamos deri në verën e vitit 2028-të. Ndërkohë, interesimi për sulmuesin durrsak nuk ka munguar, pasi “Newsport.al” mëson se ai është kërkuar edhe nga jashtë Shqipërisë.
Konkretisht, për Vilën ka shfaqur interes klubi sllovak i Zeleziarne Podbrezova. Kjo skuadër kishte përgatitur për të një kontratë mjaft fitimprurëse, por lojtari vendosi të ndjekë zemrën, duke refuzuar ofertën ndërkombëtare për të vijuar te ekipi i Ilir Dajës.
Vlen të kujtohet se Lorenco Vila iu bashkua Dinamos në gusht të vitit 2023. I formuar te ekipet e Teutës, ai vendosi të largohej nga skuadra e qytetit për të nisur një aventurë të re me dinamovitët, ku tashmë është shndërruar në një lider.


