Një reklamë 60 sekondash e Super Bowl që shfaq një super-yll të MLS-së mund të kushtojë rreth 14 milionë dollarë.
Lionel Messi, që e ka pushtuar Amerikën që kur u transferua në MLS verën e kaluar, tani do të shfaqet në një reklamë të Super Bowl për Michelob Ultra, transmeton Gazeta Express.
Kompania mëmë e markës së birrës, Anheuser-Busch, po sponsorizon gjithashtu turneun e Copa America të kësaj vere.
Ata gjithashtu pritet të jenë sponsorë në Kupën e Botës për meshkuj në vitin 2026 që do të zhvillohet në ShBA.
Në “trailerin” e publikuar shihet Messi duke shkuar në një lokal, duke porositur një birrë dhe duke reaguar ndaj derdhjes së saj.
Spotet reklamuese të Super Bowl janë jashtëzakonisht të shtrenjta duke pasur parasysh numrin e njerëzve që e shikojnë lojën dhe reklama mund të kushtojë rreth 14 milionë dollarë, sipas “Daily Mail”.
Ndeshja më e madhe në NFL do të zhvillohet më 11 shkurt dhe ndeshjet e Kampionatit të Konferencës së kësaj fundjave do të vendosin se cilat ekipe do të marrin pjesë.
Nuk dihet ende nëse Messi do të jetë i pranishëm në Super Bowl në Las Vegas, por programi para-sezonal i Inter Miamit do ta lejonte atë të jetë i pranishëm.
Ndeshja e tyre e fundit para-sezonale është më 15 shkurt, ndaj klubit të fëmijërisë së 36-vjeçarit, Newell’s Old Boys.
Kur bëhet fjalë për marketingun sportiv, tetë herë fituesi i “Topit të Artë” është një nga më të mirët, me afro 500 milionë ndjekës në “Instagram” dhe një histori pune me disa marka të mëdha.
Super Bowl është ndoshta skena më e madhe e reklamave në botë me një audiencë të pritshme prej më shumë se 100 milionë. /Gazeta Express/
sport,Inter Miami,Lionel Messi,super bowl , Inter Miami,Lionel Messi,super bowl