Jurgen Klopp ka reaguar me tone të forta ndaj vendimit të VAR-it për të mos e quajtur të vlefshëm golin e Gjermanisë në kohën shtesë kundër Paraguait, pas largimit befasues të katër herë kampionëve të botës në 1/16 e finales së Kupës së Botës 2026.
Ndeshja përfundoi 1-1 pas 120 minutave dhe më pas Gjermania u mposht nga Paraguai në penallti, por polemikat më të mëdha lidhen me golin e Jonathan Tah në vazhdime, një moment që mund t’u kishte siguruar gjermanëve kualifikimin.
Pas rishikimit me VAR, arbitri Jalal Jayed vendosi ta anulonte realizimin, me arsyetimin se gjatë aksionit Waldemar Anton kishte bërë faull ndaj portierit të Paraguait, Orlando Gill.
Klopp, i angazhuar gjatë Kupës së Botës si analist në Magenta TV, e bëri të qartë pakënaqësinë e tij për këtë vendim, duke përfshirë edhe një thumbim ironik për Arsenalin.
“Nëse ai gol është i parregullt, atëherë Arsenali nuk do të ishte kampion i Anglisë”.
“Ata kanë shënuar 60 për qind të golave të tyre pikërisht në atë mënyrë”.
“Ne e fitojmë ndeshjen në momentin kur topi hyn në rrjetë. Prandaj, natyrisht që kjo është brutale”, deklaroi Klopp.
Gjatë sezonit 2025/26, Arsenali ishte dalluar për forcën e tij në situatat standarde, sidomos në goditjet nga këndi, ndërsa mënyra si i shfrytëzonte këto aksione kishte sjellë edhe kritika nga kundërshtarët.
Me të njëjtin mendim u shpreh edhe eksperti i ESPN për VAR-in, Andy Davies, i cili vlerësoi se nuk kishte kontakt të mjaftueshëm për ta anuluar golin e Tah.
“Ky nuk ishte një bllokim i parregullt nga Anton dhe goli duhej të ishte pranuar. Ishte një ndërhyrje e dobët nga VAR-i dhe një vendim po aq zhgënjyes nga arbitri i ndeshjes për të ndryshuar vendimin fillestar dhe për ta anuluar golin”.
“Mbrojtësi gjerman kishte të drejtë të mbante pozicionin e tij në këtë situatë, ndërsa në fakt ishte portieri i Paraguait ai që u përplas me lojtarin gjerman dhe u rrëzua sapo ndjeu kontaktin, më shumë sesa si rezultat i një faulli të vërtetë nga Anton”.
“Ishte një proces i dobët dhe një rezultat i gabuar nga ana e zyrtarëve të ndeshjes”, përfundoi ai.



