Superiore

Klafuriç pas triumfit 3-2 ndaj Skënderbeut: Tirana duhet të përmirësojë fazën mbrojtëse

Tirana siguroi një fitore 3-2 ndaj Skënderbeut në javën e 13-të të “Abissnet Superiore”, në përballjen e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”. Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës kryeqytetase, Dean Klafuriç, pranoi se rezultati ishte i rëndësishëm, por shprehu pakënaqësi për mënyrën se si ekipi…

Klafuriç pas triumfit 3-2 ndaj Skënderbeut: Tirana duhet të përmirësojë fazën mbrojtëse

Tirana siguroi një fitore 3-2 ndaj Skënderbeut në javën e 13-të të “Abissnet Superiore”, në përballjen e luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”. Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës kryeqytetase, Dean Klafuriç, pranoi se rezultati ishte i rëndësishëm, por shprehu pakënaqësi për mënyrën se si ekipi menaxhoi avantazhin.

“Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme, veçanërisht për momentin që po kalonim. Skënderbeu është një ekip i fortë dhe në ndeshjet e fundit kishte paraqitje të mira, ndaj erdhi me vetëbesim. Ne kryesonim 3-0, por më pas i dhamë mundësinë të besonin se mund ta ndryshonin rrjedhën e takimit.

Faza mbrojtëse nuk është përgjegjësi vetëm e vijës së fundit. Në futbollin modern duhet të kontribuojë i gjithë ekipi. Ne kemi lojtarë me shumë cilësi në sulm, por jo të njëjtin nivel në mbrojtje. Marrim përsipër rreziqe, shënojmë shumë, por gjithashtu pësojmë shumë. Edhe sot bëmë disa gabime.

Nuk jam i kënaqur me paraqitjen tonë, megjithëse më e rëndësishmja është që morëm fitoren. Ka pasur ndeshje në të cilat kemi luajtur më mirë dhe nuk kemi marrë pikë, ndërsa këtë herë ndodhi e kundërta. Ky është futbolli. Sidoqoftë, edhe sot mendoj se ishim skuadra më e mirë, sidomos duke pasur parasysh avantazhin 3-0. Edhe kur Skënderbeu u bë rrezikshëm, ne krijuam mundësi të mira për ta mbyllur ndeshjen.

Nuk besoj se mund të përcaktojmë një të vetme ‘derë’ që duhet mbyllur për ta administruar ndeshjen. Është më e lehtë të thuhet sesa të realizohet. Kushtet e fushës ishin shumë të vështira dhe Skënderbeu u përpoq të rikthehej pas disavantazhit 3-0.

Goli i tyre ishte i jashtëzakonshëm, por pati edhe shumë fat. Nëse nuk do ta kishin shënuar, ndeshja mund të kishte mbetur 3-0 dhe ne mund të kishim realizuar edhe më shumë. Megjithatë, pasi pësuam, kundërshtari fitoi besim dhe u rikthye në lojë. Kështu është futbolli.

Duhet të punojmë për të përmirësuar mbrojtjen dhe të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme, duke marrë parasysh edhe dëmtimet. Stanic do të mungojë, ndërsa Colley i ka luajtur të dyja ndeshjet e fundit i dëmtuar. Këtë situatë duhet ta zgjidhim dhe do të punojmë për këtë. Duhet të kishim shënuar, sepse patëm mundësi, por nuk ia dolëm”, deklaroi Klafuriç.