Fitorja historike 3-2 e Anglisë ndaj Meksikës, që i siguroi kombëtares kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës, u shoqërua në fund me shqetësim për Jordan Henderson.
Edhe pse mesfushori 36-vjeçar nuk u aktivizua fare në ndeshje, ai tërhoqi vëmendjen fillimisht kur u ndëshkua me karton të verdhë si zëvendësues, pas një incidenti pranë vijës anësore gjatë nxehjes.
Por ngjarja më serioze ndodhi sapo përfundoi takimi. Gjatë festës me shokët e skuadrës, Henderson u rrëzua mbi një tabelë reklamuese dhe dyshohet se dëmtoi kyçin e dorës.
Ai mori ndihmën e parë në fushë, iu vendos oksigjen dhe më pas u transportua me barelë drejt spitalit për kontrolle të tjera.
Pas sfidës, trajneri Thomas Tuchel bëri të ditur se Henderson ishte dërguar në spital.
“Jordan e lëndoi kyçin e dorës. Thjesht nuk i përshtatet kësaj mbrëmjeje fakti që Jordani nuk është me ne”.
“Nuk e di procedurën. Mjeku më tha se ai ndodhet në spital”, deklaroi Tuchel.
Për gjendjen e bashkëlojtarit folën edhe Jude Bellingham dhe Harry Kane.
“Ka një problem të vogël”, u shpreh Bellingham.
“Hendo thjesht u rrëzua atje. Besoj se është mirë. Ka të bëjë me krahun e tij”, tha Kane.
Deri tani nuk ka asnjë përditësim zyrtar nga stafi mjekësor i Anglisë, por ekziston frika se Henderson mund të mungojë në çerekfinalen kundër Norvegjisë, madje edhe në pjesën e mbetur të Kupës së Botës./


